TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Maj 2025, 20:52

PD dhe PS mbyllin fushatën/ Rama këmbëngul te mbi 78 mandate, Berisha premton bashkëpunim me Trump dhe Merz (Video)

Shkruar nga Pamfleti

PD dhe PS mbyllin fushatën/ Rama këmbëngul te mbi 78 mandate,

PD dhe PS mbyllin fushatën, nesër heshtje zgjedhore

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë mbyllur fushatën elektorale. Socialistët u tubuan te Parku Olimpik në Tiranë, ndërsa demokratët te Bulevardi i Ri.

PS zgjodhi që tu jepte fjalën të gjithë kandidatëve të kryeqytetit, ndërsa PD kishte një strategji ndryshe. Berisha u dha zë disa përfaqësuesve të huaj dhe strategut të fushatës, Chris LaCivita.

Më pas e morën fjalën dy liderët, Edi Rama dhe Sali Berisha. Rama u fokusua te integrimi në BE, teksa nuk kurseu as partitë e reja. Më pas u ndal te “Memorandumi i Kuçit”, ku këmbënguli se PS do të marrë mbi 78 mandate.

Ky është një bllof, thanë disa duke komentuar memorandumin e Kuçit. Po pse nuk qenka e mundshme? Ne kemi sot 74 mandate. A mund të më thotë dikush pse, në cilin qark do ta humbim një mandat? Në Kukës? S’mund të na e marrin, sepse nuk e lejon aritmetika – ajo që unë kam mësuar, jo ajo 7×7 bëjnë 6 milionë.

Në Shkodër kemi 3 mandate. Pse do ta humbim një? Sepse kreu i bashkisë po e transformon Shkodrën në një vend të denjë? Ajo që kemi bërë bashkë me Benetin është minimumi që na lejon të pretendojmë një plus.

Në Lezhë kemi tre mandate nga shtatë. Që të humbim një, duhet që Lezha të gdhihet duke menduar se ringritja pas tërmetit është meritë e ‘kameleonit’ Gjekmarkaj. Në Durrës kemi tetë, dhe mund të humbim një vetëm nëse njerëzit besojnë se Oerd Gjinkalla është histori suksesi. Tulla e gjashtë e kënetës është duke rënë.

Mandati i nëntë në Elbasan na shpëtoi për një fije në zgjedhjet e shkuara – një plus hyn në minimumin e 11 majit. E njëjta gjë vlen edhe për Fierin. Gazi i botës nuk ka asnjë shans ta ndalojë mandatin të kthehet në shtëpinë tonë. Në Berat, Vlorë e Gjirokastër, nuk ka forcë që i lëviz mandatet tona", tha Rama. 

Më tej ai u ndal dhe te Tirana, duke premtuar 20 mandate: "Po Tiranën, e lënduar nga ngjarja e fundit. E harrova vallë që nuk e rendita ne listën e qarqeve? Pse vallë e harrova? Në Tiranë do të marrim 1 apo 2 plus duke shkuar nga 18 në 20. Nuk e harrova por e lashë vec sepse Tirana ha bukë vec. Është jo vetëm Tirana kryeqytet por dhe shpëtimtarët e transformuesit i kemi dhënë këtij qyteti sharmin e pamohueshëm të Evropës. Ju kujtohet ca ishte ky vend sot, ishte kënetë. Ngado ku hidhje sytë në Tiranë, kënetë".

 

Ndërsa Sali Berisha e nisi fjalën e tij në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të opozitës duke përshëndetur kancelarin e sapo zgjedhur të Gjermanisë, Merz. Më tej, ai tha se Shqipëria do të rris ndjeshëm bashkëpunimin me qeverinë gjermane dhe do të eksportojë aty produktet shqiptare dhe jo krimin si sot, siç tha ai. Po ashtu premtoi bashkëpunim me Trump. 

Do t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta deputetit të Bundestagut gjerman Peter Bayer, i cili vjen sot këtu për të mbështetur fitoren e opozitës shqiptare dhe Partinë Demokratike. Përshëndes kancelarin Merz që pata rastin ta përshëndes në Valencia. Zgjedhja e kancelarit Merz në udhëheqje të Gjermanisë dhe Europës konsiderohet një fat i madh.

PD do të vendosë bashkëpunimin më të ngushtë me qeverinë gjermane. Do të eksportojmë në gjermani produktet shqiptare dhe jo krim siç është sot.

Mirënjohje të pakufishme për vendimin që morët për rikthimin e PD-së dhe Sali Berishës në pushtet. Ditën e parë, në konferencën e parë të shtypit e shkallmove Edi Ramën duke i rënë tavolinës me grushte. Të garantojë se nesër në mëngjes, ai do t’i bjerë tavolinës me kokë. Ne jemi mirënjohës për vendimin që more për të na ndihmuar. PD do të vendosë marrëdhëniet me të ngushta me administratën e Trump në të gjitha fushat”, tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbyllje të fushatës në Tiranë u dha një mesazh të rinjve. Ai u shpreh më 11 maj, vota do të jetë për dinjitetin e tyre. Kreu i PD ka ironizuar Ramën duke thënë se për mandatin e katërt iu ofroi të rinjve 2 kg fara kungulli.

Berisha tha gjithashtu se Rama u ofron të rinjve një apartament për 108 vjet punë, ndërsa me PD në pushtet, çdo çift do ketë një çati.

Më 11 maj vota është edhe për dinjitetin tuaj, ju jeni të rinj dinjitoz. E dëgjuat me veshët tuaj kur një njeri i dekuilibruar ju tha se për mandatin e katër do u siguroj 2 kg farë kungulli, një fyerje e madhe për të rinjtë shqiptarë.

Qeveria e ardhshme do shpall paktin për rininë, paktin start-up Albania. Çdo i ri do diplomohet pas diplomimit. Një gjë mos harroni, që beteja jon është të rikthejmë kombin në rininë e tij.

Ndaj dhe për talentet tuaj, do ketë një fond të veçantë me të cilin do mbështeteni për krijimtarinë tuaja në të gjitha fushat.

Sot njeriu që iu ofroj 2kg farë kungulli, iu ofron një apartament për 108 vjet punë, ju garantoj se çdo çift i ri do ketë një çati. 30 mije euro granti për të paguar interesat e kredisë”, u shpreh Berisha.

 

 

 

Lini një Përgjigje