
Partia Demokratike ka mbyllur fushatën për zgjedhjet e 11 majit me një miting në Bulevardin e Ri në prani të mbështetësve të saj.
Një vëmendje të veçantë në këtë miting iu kushtua aleatëve të PD-së në Europë dhe më gjerë, që morën fjalën dhe i drejtuan një thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë në 11 maj, nr.1 në fletën e votimit.
Kreu demokrat, Sali Berisha, ka shprehur falenderime për përfaqësuesit e CDU/CSU dhe konservatorëve britanikë, që morën pjesë në mitingun e mbylljes së fushatës.

“Do bashkëpunojmë me Gjermaninë, për shndërrimin e Shqipërinë në vend eksportues, për ta bërë markë “Made in Albania”.
Mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju, për rikthimin e PD dhe Sali Berishës në pushtet. Në konferencën e parë të shtypit Rama do t’i bjerë tavolinës jo me grushte, por me kokë.
Ju garantoj se do të vendosim marrëdhënie shumë të mira me Donald Trump dhe SHBA në të gjithë fushat”, tha Berisha.
Duke vlerësuar rolin e strategut Chris LaCivita në fushatën e opozitës, Berisha tha se Edi Rama, një ditë pasi u shfaqe në krah të PD i ra tavolinës me grushte, por të garantoj se të nesërmen e zgjedhjeve do i bjerë tavolinës me kokë.
“Të gjithë opozitarët meritojnë një mirënjohje të pakufishme, pasi të gjithë ata mbollën në 1 muaj, në të katër anët e Shqipërisë, dritën e fitores në zemrën e mendjen e të gjithë shqiptarëve”, tha Berisha.
Mesazhi i Berishës
Përshëndetjet e mia më të përzemërta ju që keni mbushur këtë bulevard, qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, vëllezërve dhe motrave tona në diasporë kudo që ndodhen donte, mirënjohjen më të pakufishme.
Të dashur miq të nderuar dhe të çmuar tanë, të pranishëm në këtë mbyllje madhështore të fushatës tonë.
Në emër tuaj, unë do i përcjell përshëndetjet më të përzemërta deputetit të Bundestagut gjerman, mikut të ditëve më të vështira të PD, opozitës shqiptare, Peter Beyer, i cili vjen sot këtu për të mbështetur fitoren e opozitës shqiptare dhe PD-në.
I nderuar zoti Beyer, mbetemi përjetë mirënjohës ndaj mbështetjes tuaj, por unë shfrytëzoj rastin tim nga kjo tribunë t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta kancelarit Friedrich Merz, të cilin pata rastin ta përshëndes në Valencia, dhe ta siguroj se për PD-në dhe opozitën shqiptare, fitorja e CDU-së, zgjedhja e kancelarit Merz në krye të ekzekutivit gjerman, në udhëheqje të Gjermanisë dhe Europës, konsiderohet një fat i madh, një vendim historik për Gjermaninë dhe Europën.
Siguroj se PD në qeveri do vendosë bashkëpunimin më të ngushtë me qeverinë e kancelarit Merz për rivendosjen e shtetit ligjor, ligjit, funksionimin e ekonomisë së tregut, për shndërrimin e Shqipërisë në një eksportues të mirash materiale, mallrash Made in Albania në Gjermani dhe Europë, dhe jo krim e refugjatë, siç është sot.
I dashur Lord Jackson, jemi jashtëzakonisht të nderuar me praninë tuaj këtu. Ardhja juaj në mbështetje të opozitës shqiptare dhe PD, është një ndihmë e çmuar, por është gjithashtu i një tradite të kahershme të bashkëpunimit të shkëlqyer të PD që në themelimin e saj dhe Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe.
U siguroj se PD në pushtet do të konsolidojë gjithnjë e më shumë lidhjet dhe bashkëpunimin me Partinë Konservatore dhe vendin tuaj mik.
I dashur zoti Chris LaCivita, arkitekt i rikthimit më të madh në historinë e njerëzimit me votën e lirë, rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mirënjohjen më të pakufishme ju për vendimin që morët të angazhoheni me të gjithë potencialin tuaj për rikthimin e PD-së dhe Sali Berishës në pushtet.
Emri juaj, ekspertiza juaj, u shndërrua me shpejtësi në eliksirin e kësaj fushate, në shpirtin e fitores së saj.
Ditën e parë, me konferencën e parë të shtypit, e shkallmove Edi Ramën duke i rënë tavolinës me grushta.
Do garantoj se nesër në mëngjes do i bjerë me kokë tavolinës.
Por i meriton të gjitha, ne jemi mirënjohës pafundësisht për vendimin që more për të na ndihmuar në një moment kritik për opozitën dhe Shqipërinë.
Dhe u garantojmë se PD në pushtet do të vendosë marrëdhëniet më miqësore, bashkëpunimin më të ngushtë me administratën e presidentit Donald Trump në të gjitha fushat.
Lini një Përgjigje