TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2024, 21:37

Pazari për drejtësinë, pse "sheikët" e Parlamentit nuk pranojnë draftin e Olsian Çelës për pasurimin e paligjshëm?!

Shkruar nga Pamfleti
Pazari për drejtësinë, pse "sheikët" e Parlamentit
Pazari Rama-Berisha

Teksa PS e PD i duan të mirën drejtësisë, ngrihet një pyetje thjeshtë: Pse prej 3 vitesh mbahet peng një propozim i Kryeprokurorit, Olsian Çela për pasurimin e paligjshëm?

Aksionet e fundit të SPAK duket se kanë futur në panik politikën. Ndonëse kryeministri Rama mburret me reformën, në fakt frika ka bërë që ai të bëhet bashkë me Sali Berishën, në kurriz të projektit amerikan.

Sot bëri bujë gjetja e konsensusit mes PS dhe PD, por përveç lëshimeve për komisionet hetimore, është arritur akordi për një çështje tjetër, që është alarm për drejtësinë e re. Palët kanë rënë dakord që do të ngrenë një komision ad hoc, i cili do të merret me reformat, sidomos me ligjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Me pak fjalë, do ngrihet ai komisioni i paralajmëruar pak kohë më parë nga Eduard Shalsi për të kontrolluar SPAK dhe organet kushtetuese. “Pamfleti” e paralajmëroi që të shtunën një rrezik të tillë dhe duket qartë se pazari bëhet në kurriz të reformës dhe jo për stabilitetin politik.

Socialistët dhe demokratët justifikohen duke thënë se rishikimi ligjeve të reformës bëhet për të përmirësuar reformën. Po ashtu shprehen se janë propozime që kanë ardhur nga vetë organet e drejtësisë. Por, teksa PS e PD i duan të mirën drejtësisë, ngrihet një pyetje e thjeshtë: Pse prej 3 vitesh mbahet peng një propozim i Kryeprokurorit, Olsian Çela për pasurimin e paligjshëm?

Çela ka propozuar ndërhyrje në Kodin Penal, duke shtuar një nen për pasurimin e paligjshëm. Ideja e kryeprokurorit është që të ketë sekuestrim pasurie dhe hetim për këdo zyrtar që nuk justifikon pasurinë.

Inicimin e ndryshimeve dhe plotësimeve në Kodin Penal, lidhur me: i) Shtimin e një neni “Pasurimi i paligjshëm” si vepër penale në përqasje me nenin 20 të Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit, e ratifikuar me ligjin nr.9492/2006, me synim për të ulur korrupsionin e nëpunësve publik dhe për të luftuar informalitetin”, thuhet në propozimin e Olsian Çelës.

Nëse shohim Konventën e OKB, të cilës i referohet kryeprokurori, aty ka një përcaktim shumë të qartë. “Në përputhje me Kushtetutën dhe principet themelore të sistemit të tij ligjor, secili shtet palë shqyrton marrjen e masave legjislative dhe të tjera që mund të jenë të nevojshme për të parashikuar si vepër penale, kur kryhet me qëllim pasurimin e paligjshëm, që është një rritje e madhe e pasurisë së një nëpunësi publik që ai ose ajo nuk mund ta justifikojë me të ardhurat e tij ose të saj të ligjshme”, thuhet në nen.

Pazari për drejtësinë, pse "sheikët" e Parlamentit

Prej tre vitesh, PS e PD e kanë anashkaluar këtë propozim, pasi ai godet drejtpërdrejt ministra, deputetë, presidentë, kryeministra etj. Nëse futet ky nen, çdo deputet do futet në skaner njësoj si gjyqtarët dhe prokurorët. Nëse ai nuk justifikon pronat me punën që ka bërë gjithë këto vite, duhet të ndëshkohet.

Nëse shohim pasurinë e Edi Ramës, të Sali Berishës, të Ilir Metës, të ministrave dhe shumë deputetëve duket qartë se ka diçka që nuk shkon. Të gjithë kanë pasuri sheikësh dhe justifikohen se i kanë ndërtuar vilat me rrogat që kanë marrë në shtet. Pra, nëse flasim për drejtësi, nuk mund të bëhen ligjet për të futur në burg ata që nuk paguajnë dritat, ndërsa sheikët e Parlamentit mundohen t’i shpëtojnë ndëshkimit. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje