TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2024, 16:34

Pazari PD-PS/ Blofi i opozitës me komisionet hetimore, si vendosi të amnistojë aferat e Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Pazari PD-PS/ Blofi i opozitës me komisionet hetimore, si vendosi të
Berisha-Rama duke u përplasur në Kuvend, sot bëjnë pazar

Opozitës i janë refuzuar 8 komisione hetimore në vitet e fundit, ndërsa Bardhi me Çuçin ranë dakord që të pranohen vetëm 2 kërkesa, për çështje që nuk e lodhin fare qeverinë.

Mazhoranca dhe opozita kanë arritur sot atë që “Pamfleti” e paralajmëroi pak ditë më parë: Pazar kundër drejtësisë dhe për të ‘shpëtuar’ Edi Ramën nga aferat.

Prej më shumë se 6 muajsh u bë luftë e madhe në Parlament, pasi PS nuk pranonte komisionet hetimore të kërkuara nga opozita. Për Sali Berishën dhe ata që i shkojnë pas, kjo ishte mbyllje goje dhe për këtë arsye nisën tymueset dhe flakadanët, duke bërë që të mos kishte seanca normale. Por e gjitha duket se ka përfunduar në flluskë sapuni, pasi me paktin e arritur sot, i vetmi i fituar është Edi Rama.

Opozitës i janë refuzuar 8 komisione hetimore në vitet e fundit, ndërsa Bardhi me Çuçin ranë dakord që të pranohen vetëm 2 kërkesa, për çështje që nuk e lodhin fare qeverinë.

Për të qenë më të saktë, PD-së i janë refuzuar komisionet hetimore për: Çështjen Becchetti; për investimet strategjike; për Portin e Durrësit; për udhëtimet e kryeministrit Rama; për çështjen McGonigal; për të dhënat personale (sistemi TIMS); për koncesionet në shëndetësi dhe për rastet e konfliktit të interesit.

Por, palët sot kanë pranuar që të ngrihen dy komisione hetimore, ai për sistemin TIMS dhe për koncesionet në shëndetësi. Dy komisione praktikisht pa shumë vlerë. Koncesionet në shëndetësi janë duke u hetuar nga SPAK. Sa i takon TIMS është një sistem sekret dhe me shumë gjasë qeveria nuk do japë asnjë informacion, duke zvarritur punimet e komisionit, sikundër ka ndodhur gjithmonë.

Por opozita u tërhoq nga disa komisione që prekin drejtpërdrejtë Ramën. Ai i dosjes “McGonigal” për shembull. Berisha bërtet përditë nga dritarja se Rama do ketë fatin e mikut të tij, por hoqi dorë. Kemi investimet strategjike, që është afera më e madhe e kësaj qeverie dhe duhej hetuar me themel. Kemi padyshim aferën me portin e Durrësit, ku ju dha arabëve dhe punimet nuk kanë nisur. Për edhe në këto raste PD u tërhoq dhe u mjaftua me një kockë.

Sinjalet janë se lepuri fle diku tjetër. Pazaret po bëhen kundër reformës në drejtësi dhe shpresat e Berishës janë se mund t’ia hedhë paq nga rreziku i SPAK. Mbetet të shihet sa do ja dalë, pasi amerikanët e kanë bërë të qartë se nuk lejojnë asnjë tjetërsim të reformës.

Komisionet e refuzuara nga PS

1.      Komisioni hetimor për çështjen Becchetti

2.      Komisioni hetimor për investimet strategjike

3.      Komisioni hetimor për Portin e Durrësit

4.      Komisioni hetimor për udhëtimet e kryeministrit Rama

5.      Komisioni hetimor për çështjen McGonigal

6.      Komisioni hetimor për rastet e konfliktit të interesit

/Pamfleti

Lini një Përgjigje