TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Shkurt 2026, 22:55

Pas vendimit të Kushtetueses, opozita në delir: Drejtësia duhet të shkojë te Edi Rama

Shkruar nga Pamfleti
Pas vendimit të Kushtetueses, opozita në delir: Drejtësia duhet
Edi Rama dhe Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim me shumicë votash lidhur me ankimin e bërë nga Kryeministri Edi Rama, që kërkonte një zgjidhje kompetencash mes Këshillit të Ministrave dhe GJKKO e SPAK, sa i takon pezullimit të anëtarëve të Qeverisë nga funksionet me vendime gjykate, pa marrë më parë autorizimin.

Tetë anëtarët e Kushtetueses u ndanë 4 me 4, çka do të thotë se ankimi i Kryeministrit u rrëzua dhe në fuqi mbeti vendimi i GJKKO-së, sipas të cilës Belinda Balluku pezullohet nga funksionet.

Pas vendimit të Kushtetueses pati një seri reagimesh nga opozita dhe deputetë të saj.

Adriatik Lapaj, i ‘Shqipëria Bëhet’, shkruan në rrjetet sociale se vendimi i sotëm i Kushtetueses tregoi se Qeveria shqiptare u përpoq të pengonte drejtësinë me veprimet e tyre, me qëllim mbrojtjen e Ballukut.

“U provua nga Gjykata Kushtetuese se Këshilli i Ministrave dhe Edi Rama penguan drejtësinë me veprimet e tyre. Drejtësia tashmë duhet të shkojë te Edi Rama!”, ka shkruar Lapaj.

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është shprehur se fundi i pandëshkueshmërisë do të vijë vetëm kur kryeministri Edi Rama të dalë para drejtësisë.

“Më në fund Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin përfundimtar të Belinda Ballukut. Mund të themi që ky është fundi i pandëshkueshmërisë në Shqipëri? Jo. Tani e ka radhën Edi Rama. Sepse çdo njeri në Shqipëri e di që në krye të korrupsionit është Edi Rama dhe vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të Kryeministrit Edi Rama mund të themi që ka ardhur fundi i pandëshkueshmërisë edhe në Shqipëri”, shkruan Shehaj.

Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, shprehet në një reagim se Edi Rama ushtroi presion të paprecedentë mbi Gjykatën Kushtetuese.

“Edi Rama u rrëzua në pretendimin e tij për të bllokuar drejtësinë. Njëlloj do të rrëzohet kushdo që pengon drejtësinë. Tani, Edi Rama nuk ka më ku të fshihet”, shkruan Bardhi.

 

opozita rama kushtetuese

Lini një Përgjigje