TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Shkurt 2026, 19:08

Çështja Balluku në Kushtetuese, Berisha: Vendimi do merret me 5 vota në favor të Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Çështja Balluku në Kushtetuese, Berisha: Vendimi do merret me 5
Sali Berisha takim me strukturat e PD

Kreu demokrat, Sali Berisha, paralajmëroi pasditen e së premtes, se Gjykata Kushtetuese do të vendosë me 5 vota pro, në favor të Kryeministrit Edi Rama, lidhur me ankimin që ka drejtuar në këtë gjykatë, pas vendimit të GJKKO-së, për pezullimin e Belinda Ballukut nga funksionet qeveritare.

Gjatë një takimi me strukturat e degëve 8 dhe 10 të PD-së në Tiranë, në kuadër të protestës së 10 shkurtit, Berisha tha se Kushtetuesja do të votojë në favor të Edi Ramës.

Sot, në momentin që mblidhemi këtu, organizata kriminale voton kundër interesave më jetike të çdo qytetari shqiptar. Voton që një grup hajdutësh, të cilin nuk e ka pasur kurrë në histori Shqipëria, i cili ka vjedhur miliarda e miliarda, të vazhdojë të vjedhë miliarda të tjerë.

Edi Rama për të mbrojtur krimet e tij urdhëron, dhe me 5 vota vendos që të mbrojë me çdo kusht karrigen e tij, të mbrojë veten nga vjedhjet sepse Lubia është vetëm emri fiktiv, aferat janë të Ramës mbi të gjitha dhe të asaj pastaj”, tha Berisha.

Deklaratat e Berishës lidhur me këtë çështje vijnë në një kohë kur prej mesditës, 8 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, janë mbledhur në dhomë këshillimi, mbledhja e 3-të në dy javë, për të marrë një vendim lidhur me ankimin e Kryeministrit Edi Rama.

Rama iu drejtua Kushtetueses për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Sipas afateve ligjore, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të marrë një vendim përfundimtar, afat i cili skadon më 22 shkurt. Nuk dihet nëse Kushtetuesja do e shfrytëzojë të gjithë kohën që ka në dispozicion për të marrë vendimin, por prej tij është kushtëzuar edhe vendimmarrja në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve lidhur me një tjetër kërkesë të SPAK për Ballukun. 

berisha kushtetuese balluku

Lini një Përgjigje