Gazetarja Anduena Llabani këmbëngul se Kryeministri Edi Rama është marrë në pyetje në SHBA, në prani të një avokati, lidhur me dosjen McGonigal.
Në studion e News24, Llabani tha se Edi Rama ka udhëtuar drejt SHBA-së, i shoqëruar nga një avokat, megjithëse nuk tha se për cilën kohë bëhej fjalë.
“Nuk kam gabuar asnjëherë, e them me përgjegjësi të plotë, s’kam goditur në date, por jo në fakt. Po, zoti Rama ka qenë në Amerikë i shoqëruar me një avokat”, tha Llabani.
Disa kohë më parë, gazetarja njoftoi se Edi Rama do të udhëtonte drejt SHBA-së, i shoqëruar nga një avokat, dhe do të pyetej për çështjen Charles McGonigal, ish-drejtorin e anti-terrorit të FBI-së, zyra e Neë York, i cili sipas autoriteteve amerikane, kishte marrë pagesa nga një shqiptar, ish-agjent i shërbimeve sekrete. Rama në deklaratat publike ka pohuar se McGonigal e ka pasur mik, ndërsa ndaj tij është depozituar në SPAK një kallëzim penal nga opozita, lidhur me dosjen e ish-agjentit të FBI.
“Në rast se zoti Rama apo këshilltarët e tij mediatikë duan ta përgënjeshtrojnë këtë fakt, le ta bëjnë, por unë e them me përgjegjësi të plotë se Rama ka qenë në SHBA dhe ka dëshmuar për llogari të drejtësisë amerikane.
Dua të sqaroj arsyet pse Rama mund të ketë qenë në SHBA dhe të ketë dëshmuar për llogari të amerikanëve.
Në nëntor të vitit të kaluar, gjykata amerikane la të lirë ose dha një vendim të lirimit me kusht të Charles McGonigal. Prokurorët shqiptarë kanë pasur komunikim me letër porosi me autoritetet në SHBA. Asnjë nuk e ka përgënjeshtruar se SPAK nuk ka nisur verifikimet për McGonigal, madje disa personazhe shqiptarë janë marrë në pyetje nga SPAK. I vetmi që nuk është marrë në pyetje është kryeministri Rama”, tha Llabani.
Lini një Përgjigje