Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka censuruar mesazhin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke hequr pjesë që sipas tij lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër organizatave kriminale transnacionale.
Berisha u shpreh se në takimin e zhvilluar në Departamentin e Shtetit është diskutuar për rrezikun që, sipas tij, paraqesin kartelet shqiptare dhe organizatat e trafikut të drogës për vendet e tjera. Ai pretendoi se këto referenca janë fshirë nga njoftimi zyrtar i publikuar nga Kuvendi.
"Ndaj dhe 10 shkurti është dita e çdo qytetari, është dita e dinjitetit, e guximit, e kurajës, e vendosmërisë për të marrë fatin në duar. Ju e patë edhe sot, pavarësisht se Peleshi i parlamentit e kishte hequr, por në takimin që bëri në Departamentin e Shtetit, citohej fjalë për fjalë lufta kundër organizatave kriminale transnacionale, çka parakupton rrezikun që kartelet shqiptare dhe organizatat e drogës paraqesin për vendet e tjera.”, tha Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përfshirje në afera kriminale dhe për përdorimin e pushtetit, sipas tij, për të mbrojtur interesat personale.
Sipas Berishës, heqja e referencave nga mesazhi i DASH përbën akt censurimi dhe dëshmi të bashkëpunimit institucional në fshehjen e realitetit. Ai deklaroi se për të kuptuar qëndrimin real të SHBA-ve, qytetarët duhet t’i referohen njoftimit origjinal të Departamentit të Shtetit.
Në vijim, kreu i PD-së e cilësoi situatën si të rëndë për demokracinë dhe bëri thirrje për reagim qytetar përmes asaj që ai e përshkroi si kundërshtim paqësor ndaj qeverisë, duke e akuzuar mazhorancën për keqpërdorim të pushtetit dhe korrupsion.
Lini një Përgjigje