TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Shkurt 2026, 22:53

Rama drejt rishikimit të reformës në drejtësi, Ulsi Manja paralajmëron ndërhyrje ligjore

Shkruar nga Pamfleti
Rama drejt rishikimit të reformës në drejtësi, Ulsi Manja
Manja & Rama

Pas përplasjes së fortë publike mes qeverisë dhe magjistratëve për çështjen e rritjes së pagave, duket se në sfond po fshihet diçka më e madhe: një sinjal i qartë se mazhoranca, me në krye kryeministrin Edi Rama, po shkon drejt një rishikimi të reformës në drejtësi. Këtë mesazh e artikuloi hapur ish-ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, gjatë një interviste në emisionin “Top Story”.

I pyetur për kërkesat e magjistratëve dhe debatin e ndezur për pagat, Manja përdori një ton të ashpër, duke lënë të kuptohet se problemi nuk është vetëm financiar, por lidhet me mënyrën si funksionon vetë sistemi i drejtësisë.

Magjistraturës në përgjithësi i themi: merrni përgjegjësitë që ju ka ngarkuar Kushtetuta, ligji, por edhe defektet ku i keni dhe rregullohuni”, u shpreh Manja.

I pyetur drejtpërdrejt nga Grida Duma nëse kjo do të thotë ndërhyrje në sistem, Manja nuk e zbuti mesazhin.

‘Rregullohuni’. Pse? Sepse sot janë garantuar mekanizmat që pushteti gjyqësor të funksionojë si pushtet i pavarur dhe janë garantuar mekanizmat e llogaridhënies. Ne i themi sistemit të drejtësisë: e keni një strategji për reduktimin e backlogut në gjykata”, deklaroi ai.

Manja solli edhe shembuj konkretë për disiplinën në gjyqësor, duke kritikuar vendime që, sipas tij, e ulin seriozitetin e funksionit të gjyqtarit.

Një drejtues gjykate i mbajti nga paga 5-6 ditë punë një gjyqtari se nuk kishte shkuar në punë. U ankimua masa dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor tha: ‘gjyqtari kur s’ka gjyqe nuk ka pse shkon në punë’. Gjyqtari duhet të shkojë në punë”, theksoi Manja.

Ai u ndal edhe te roli i gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë, duke kritikuar ashpër perceptimin e tyre si “noterë” të vendimeve.

Ka ardhur koha që sistemi gjyqësor, gjykatësi, të shohë provat dhe t’i bjerë çekiçit të drejtësisë me sytë mbyllur. Gjykatat duhet të largohen nga roli i noterit dhe të ngrihen në lartësinë që u ngarkon Kushtetuta”, deklaroi Manja.

Në fund, ai la një paralajmërim të qartë, që shihet nga shumëkush si sinjal politik për një fazë të re të reformës në drejtësi.

Për gjyqtarët ekziston vetëm prova. Vëreni gishtin mendjes, sepse do të ndërhyjmë në sistem”, u shpreh Manja.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur kryeministri Rama ka ashpërsuar publikisht tonet ndaj gjyqtarëve për çështjen e pagave, duke ngritur dyshime se përplasja aktuale mund të jetë preludi i një rishikimi më të gjerë të arkitekturës së reformës në drejtësi.

rama manja drejtesia

Lini një Përgjigje