TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Shkurt 2026, 22:37

Dashamir Shehi: Reforma në drejtësi ka dështuar për qytetarin, SPAK dhe GJKKO janë të vetmet që funksionojnë

Shkruar nga Pamfleti
Dashamir Shehi: Reforma në drejtësi ka dështuar për
Dashamir Shehi

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka deklaruar se reforma në drejtësi ka dështuar në funksionin e saj kryesor, atë të ofrimit të drejtësisë për qytetarët, ndërsa vlerësoi se të vetmet hallka që kanë treguar njëfarë suksesi janë SPAK dhe Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Shehi i bëri këto deklarata i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke komentuar edhe sulmet e fundit të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarëve.

Ku ka dështuar për mua? U bë një reformë që presupozohej se do t’u ofronte shqiptarëve drejtësi të barabartë, sepse sistemi ishte i korruptuar. Drejtësia që duhet për qytetarin nuk ka lëvizur fare, përkundrazi ka shkuar mbrapa. Në Gjykatën e Lartë janë 30 e ca mijë dosje”, u shpreh Shehi.

Ai theksoi se problematikat lidhen edhe me mënyrën e shpërndarjes territoriale të gjykatave, duke e bërë aksesin e qytetarëve më të vështirë.

U tentua një reformë shpërndarjeje mbi territorin e drejtësisë. Në disa qytete ka godina dhe nuk ka gjyqtarë, apeli është përqendruar. Ky është halli i madh i drejtësisë për qytetarin. Nga kjo pikëpamje, reforma ka dështuar”, deklaroi ai.

Sipas Shehit, e vetmja pjesë e reformës që ka dhënë rezultate konkrete janë strukturat speciale.

Kush ka bërë diçka? Ato gjykatat speciale. Ato kanë arrestuar disa njerëz që kishin pushtet dhe ndiheshin të paprekshëm. Ky është i vetmi segment që çau një shteg pozitiv”, tha Shehi.

Ai shtoi se pikërisht për këtë arsye SPAK dhe GJKKO janë në shënjestër të politikës, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita.

Çfarë ndodh me politikën? Nuk shqetësohet për dosjet dhe shërbimin ndaj qytetarit. Halli është te SPAK dhe GJKKO. Edhe Rama këtë sulmon, edhe Berisha këtë sulmon. I vetmi segment që funksionon, i janë turrur të gjithë”, u shpreh ai.

Shehi pranoi se edhe brenda drejtësisë speciale ka problematika, por theksoi se presioni mbi këto struktura vjen sepse ato janë afruar pranë pushtetit politik.

A ka mes specialëve të korruptuar? Po. A e bëjnë të gjithë punën siç duhet? Jo. Por politika u turr atyre jo se nuk u kthejnë pronat njerëzve, por sepse janë afruar te pushteti politik i disa njerëzve”, deklaroi ai.

Në lidhje me debatin për pagat e magjistratëve, Shehi e cilësoi atë si element populist, që synon të krijojë armiqësi në opinionin publik.

Kulmohet me punën e pagave, që është elementi më populist. U thua njerëzve që këta marrin miliona dhe ngre dallgë urrejtjeje. A kanë të drejtë të kërkojnë më tepër? Edhe unë mendoj se kërkesat duhet të ishin më të moderuara, por ky nuk është halli më i madh që ka qeveria”, përfundoi Shehi.

Lini një Përgjigje