TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Shkurt 2026, 22:14

Përplasja e gjyqtarëve me Ramën, Ulsi Manja shpjegon sherrin për pagat: Sistemi i rrogave nuk është listë dëshirash

Shkruar nga Pamfleti
Përplasja e gjyqtarëve me Ramën, Ulsi Manja shpjegon sherrin
Ulsi Manja

Debati për rritjen e pagave të magjistratëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve ka hyrë në një fazë të re, pasi çështja ka përfunduar sërish në Gjykatën Kushtetuese. Përballë kërkesave të magjistratëve për rritje page, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë kërkesë si absurde.

I ftuar në emisionin “Top Story”, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, sqaroi se kjo çështje nuk është e re dhe se ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është ndër më të debatuarit në vend.

E kam ndjekur debatin sepse vij nga ai sistem, sepse jam kryetar i Komisionit të Ligjeve, ish-ministër i Drejtësisë dhe dëshmitar i miratimit të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kur them ligj i famshëm, është i rëndësishëm, por i famshëm sepse që nga miratimi në 2016 deri sot nuk di që një ligj të ketë shkuar tri herë në Gjykatën Kushtetuese dhe të jetë ndërhyrë tri herë nga ligjvënësi, konkretisht në nenin 12”, u shpreh Manja.

Ai theksoi se debati aktual nuk është një përplasje politike, por një proces kushtetues mes palëve të interesuara.

Nuk është debat që zhvillohet në distancë mes gjyqtarëve dhe ekzekutivit, sepse flasim për një vendim kushtetues ku qeveria është palë e interesuar. Në këtë rast, debati po zhvillohet mes dy palëve të interesuara”, tha Manja.

Sipas tij, fakti që çështja është bërë kaq publike lidhet edhe me ndjeshmërinë që ngjall tema e pagave në shoqëri.

Për herë të parë po bëhet kaq publik sepse çështja e pagave në përgjithësi ngjall debate. Një kërkesë për rritje page nga cilado palë interesi që të vijë, është legjitime. Por në një shtet demokratik sistemi i pagave nuk mund të jetë një listë dëshirash. Sistemi i pagave është pasqyra e funksionimit politik, demokratik dhe social të një shteti”, deklaroi ai.

Manja shpjegoi se ligji i vitit 2016 parashikonte një status të veçantë për magjistratët, i cili përfshinte jo vetëm pagën, por edhe elementë të tjerë financiarë.

Parimi kryesor i ligjit për caktimin e pagës ishte respektimi i dinjitetit të profesionit. Kriteret ishin shkalla ku magjistrati ushtron funksionin, vjetërsia në punë, kompetenca, pozicioni drejtues, shtesat për kualifikime, trajtimi financiar, kompensimi për transferime, pensioni suplementar, sigurimi i jetës dhe shtesat për vështirësinë e profesionit”, u shpreh Manja.

Duke iu referuar debatit aktual për pagën referuese, ai theksoi se ndryshimet janë bërë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Neni 138 thotë qartë: mos e ul pagën e magjistratit. Ne nuk e ulëm, përkundrazi e rritëm. Por nuk do të thotë që çdo formulë e re përllogaritjeje që jep një përfitim më të vogël është shkelje e Kushtetutës, ndërsa një formulë që jep përfitim më të madh qenka detyrim kushtetues”, tha Manja.

Ai shtoi se lidhja e pagës referuese të magjistratëve me pagën e Presidentit të Republikës është vlerësimi më i lartë i mundshëm nga ana e shtetit.

Nuk di të ketë vlerësim më të madh sesa ta referosh pagën e magjistratit me pagën e Presidentit të Republikës”, përfundoi Manja.

manja paga gjyqtare

1 Komente

  1. a
    antifashisti

    I lumte z. Manja per mendimet e arsyeshme qe ka shprehur.

    Lini një Përgjigje