TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Shkurt 2026, 14:48

Rikthimi i TikTok, qeveria njoftim zyrtar: Do të vendosen mekanizma të rinj sigurie

Shkruar nga Pamfleti

Rikthimi i TikTok, qeveria njoftim zyrtar: Do të vendosen mekanizma të

Qeveria ka sqaruar vendimin për rikthimin e TikTok pas gati një viti mbylljeje.

Qeveria ka njoftuar zyrtarisht heqjen e ndalimit të platformës TikTok në Shqipëri, rreth një vit pas vendosjes së masave që kufizuan aksesin në rrjetin social.

Në njoftim thuhet se vendimi vjen pas një rivlerësimi institucional dhe pas adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, me fokus të veçantë te fëmijët dhe të rinjtë.

Në njoftimin e Kryeministrisë, sqarohet gjithashtu se heqja e masave të përkohshme është rezultat i dialogut me platformën dhe ndërtimit të mekanizmave të rinj të sigurisë.

“Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë”, thuhet në deklaratë.

Sipas qeverisë, masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 ishte konceptuar si një ndërhyrje parandaluese për mbrojtjen e interesit publik dhe për trajtimin e problematikave të evidentuara në atë periudhë.

“Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm”, theksohet më tej.

Rikthimi i TikTok, qeveria njoftim zyrtar: Do të vendosen mekanizma të

Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok për vendosjen e filtrave mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrolleve të përmbajtjes dhe mënyrave më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve. Sipas kryeministrit, vendimi shënon kalimin nga masat kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të orientuar drejt fëmijëve, të rinjve, prindërve dhe mësuesve, me qëllim përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online.

“Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimit të një kulture sigurie në hapësirën online”, thuhet në njoftim.

TikTok u mbyll në mars 2025, pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar, ngjarje që sipas qeverisë kishte lidhje me një konflikt të nisur në rrjetet sociale. Kryeministri Edi Rama deklaroi në atë kohë se mbyllja do të ishte e përkohshme dhe se platforma do të rihapej sapo të arrihej një marrëveshje me kompaninë për vendosjen e filtrave mbrojtës, veçanërisht për të miturit. Tashmë pritet të shihet se si do të funksionojnë konkretisht këto mekanizma sigurie në praktikë.

Lini një Përgjigje