Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita ka një strategji të qartë politike, e cila është beteja deri në largimin nga pushteti të kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal te protesta e paralajmëruar e 10 shkurtit dhe arsyet që, sipas tij, e bëjnë të domosdoshëm reagimin qytetar.
“Strategjia e PD është betejë gjer në rrëzimin e Ramës. Ai nuk ka legjitimitet”, tha Berisha.
Ai theksoi se protestat nuk lindin pa arsye dhe se qytetarët kanë motive konkrete për të dalë kundër qeverisë.
“Jemi shumë mirënjohës sepse një qytetar që të zemërohet ndaj pushtetit të vendit të tij duhet të ketë motive të forta. Ndaj qytetarët i kanë motivet”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha akuzoi qeverinë për mungesë legjitimiteti, manipulim zgjedhjesh dhe korrupsion.
“Qeveria nuk ka legjitimitet, ka shndërruar zgjedhjet në farsë, ka vjedhur qindra milionë euro, nuk do drejtësinë. Shqiptarët janë të vendosur”, deklaroi Berisha.
Lini një Përgjigje