Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj kompanisë ndërtuese 2T, me pronar Artan Sako, duke deklaruar se kjo kompani është paguar nga qytetarët shqiptarë me rreth 300 milionë euro përmes projekteve publike.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal veçanërisht te ndërtimi i pallatit që ai e cilësoi si “pallati në pajë” i Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se objekti është ndërtuar nga kompania 2T dhe se për të nuk ekziston asnjë dokumentacion financiar apo ligjor i plotë.
Sipas Berishës, kompania 2T ka qenë e përfshirë edhe në ndërtimin e rrugës Qukës–Qafë Plloçë, një projekt i nisur në vitin 2009 dhe fillimisht i parashikuar me një fond prej 73 milionë dollarësh, por që, sipas tij, ka përfunduar duke u kushtuar shumëfish më tepër taksapaguesve shqiptarë.
“Mafia e Surrelit është mafia më e rrezikshme e Europës. Është mafia që u kushton shqiptarëve qindra e miliarda euro në çdo punë publike dhe në çdo tender”, deklaroi Berisha, duke shtuar se qytetarët shqiptarë kanë paguar kompaninë 2T me shuma që arrijnë në rreth 300 milionë euro.
Kreu i PD theksoi se pallati në fjalë është ndërtuar në tokën e familjes Basha, por, sipas tij, në kundërshtim me kushtet urbanistike dhe pa faturim të rregullt tatimor, mjedisor apo financiar. Ai kujtoi gjithashtu se, pas denoncimeve të bëra nga Partia Demokratike në të kaluarën, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kishte nisur procedurat e verifikimit për origjinën e pasurisë, por sipas tij, këto hetime u ndërprenë pas shkarkimit të ish-drejtoreshës Zana Xhuka.
“Mafia e Surrelit është mafia më e rrezikshme e Evropës. Është mafia që u kushton shqiptarëve në cdo punë publike, në cdo tender qindra dhe miliarda euro.
Sot kam zgjedhur të ndalem sesa paguan qytetarët për pallatin në pajë të Linda Ramës. Pallat për të cilën Linda Rama dhe bashkëshorti i saj, Edi Rama nuk janë në gjendje të paraqesin qoftë edhe një faturë të vetme, tatimore, mjedisore apo të cdo lloji.
Pra pallati në pajë i ndërtuar në sheshin e pallateve në tokën e tyre. Kjo duhet theksuar, është ndërtuar në tokën e familjes Basha. Por është ndërtuar në kundërshtim me cdo kondicion urbanistik.
Kapitulli tjetër është se pallati, zonja nuk paraqet dot qoftë edhe një faturë pallatin me 5 kate mbi tokë, nëntokë shkoni shikojeni vetë sa ka.
Kur ky skandal u denoncua nga PD në atë kohë dhe kur ILDKP filloi procedurën e hetimit për origjinën e pallatit, Rama shkarkon në mënyrë të rrufeshme zonjën Zana Xhuka. Për këtë pallat ajo tha se është ndërtuar me para gjaku. Nuk besoj se vëllai i saj emigrant të jetë marrë as me drogë dhe as me vrasje.
Por tani dëgjoni pak sa e paguan shqiptarët pallatin?! shqiptarët pallatin e paguan sic thotë vetë shprehja e tyre popullore më shumë sesa “frëngu pulën”. Shqiptarët kompaninë që ndërtoi pallatin, kompaninë 2T të famozit Sako, vëllaut të komandantit të Gardës, aktualisht kryetar bashkie në Tepelenë, e paguan jo 100 apo 200, por e paguan 300 milionë euro, pasi rruga Qukës-Qafë Plloçë e filluar në 2009 e parashikuar me një shumë prej 73 milionë dollarë bankës Islamike”, tha Sali Berisha.
Lini një Përgjigje