TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Shkurt 2026, 21:23

Pas grekëve, edhe turqit sulmojnë ashpër Ramën: Klloun dhe imoral!

Shkruar nga Pamfleti
Pas grekëve, edhe turqit sulmojnë ashpër Ramën: Klloun dhe
Rama & Erdogan

Vizita në Izrael nuk kapërdihet lehtë nga turqit...

Pas kritikave të forta nga Greqia, Kryeministri Edi Rama po përballet tani edhe me një sulm të ashpër nga Turqia. Në një zhvillim që po tërheq vëmendje, dy shtete historikisht rivale, Greqia dhe Turqia, duket se janë “bashkuar” në kritikat ndaj Ramës, duke e vendosur atë në qendër të sulmeve mediatike dhe analitike nga të dyja anët.

Sulmi më i fundit vjen nga Turqia, ku analisti Ayhan Demir, në një shkrim të publikuar në median turke “Yeniakit”, ka përdorur një gjuhë jashtëzakonisht të ashpër ndaj Kryeministrit shqiptar, pas vizitës së tij në Izrael dhe fjalimit në Knesset.

Demir e nis analizën e tij duke e krahasuar Ramën me një “klloun”, duke iu referuar përkufizimit të Shoqatës së Gjuhës Turke për këtë term. Sipas tij, Rama përmbush të gjitha tiparet e një kllouni politik, nga veshja e ekzagjeruar dhe sjellja provokuese, deri te deklaratat që synojnë më shumë shfaqjen sesa përfaqësimin serioz të një shteti.

Analisti turk ndalet gjatë te e kaluara artistike e Ramës, fotot nudo, qëndrimet mbi seksualitetin, gjestet provokuese në protesta dhe stili i tij i pazakontë në ngjarje zyrtare, duke i cilësuar këto si shenja të një lideri që, sipas tij, “e ka kthyer imoralitetin në kod sjelljeje”.

Fokusi kryesor i shkrimit është vizita e Ramës në Izrael, të cilën Demir e quan “skandaloze” dhe “të turpshme”. Ai kritikon ashpër deklaratat e Ramës në parlamentin izraelit, ku Kryeministri foli për përkatësinë fetare të familjes së tij dhe shprehu admirim për kryeministrin Benjamin Netanyahu. Sipas Demir, Rama shmangu çdo kritikë për luftën në Gaza dhe fajësoi Hamasin, duke injoruar viktimat civile palestineze.

“Edi Rama e turpëroi Shqipërinë dhe popullin shqiptar”, shkruan Demir, duke shtuar se shtetet nuk kanë vetëm interesa, por edhe nder dhe reputacion, të cilat, sipas tij, Rama i ka cenuar rëndë.

Analisti turk shkon edhe më tej, duke pretenduar se vizita në Izrael kishte motive personale. Sipas tij, Rama kërkon mbështetje ndërkombëtare për shkak të hetimeve për korrupsion në Shqipëri dhe frikës nga humbja e pushtetit dhe përballja me drejtësinë. Ai e krahason Ramën me Netanyahun, duke shkruar se “të dy përballen me gjyqe për korrupsion” dhe duke përdorur shprehjen ironike se “të verbërit dhe të shurdhërit po argëtojnë njëri-tjetrin”.

Demir e quan gjithashtu “të neveritshme” edhe batutën e Ramës për Mossadin gjatë fjalimit në Knesset, duke e cilësuar si shenjë frike dhe nënshtrimi politik.

Ky sulm nga Turqia vjen vetëm pak ditë pasi media greke “Protothema” publikoi një artikull të gjatë kritik ndaj Ramës, pas deklaratave të tij mbi identitetin dhe prejardhjen e grekëve. Në atë shkrim, Rama akuzohej për kontradikta mbi origjinën e familjes së tij, për përdorim selektiv të historisë dhe për qëndrime antipatike ndaj Greqisë, pavarësisht lidhjeve historike dhe familjare.

“Protothema” e rikujtonte edhe deklaratën e Ramës në Abu Dhabi, ku ai i tha një gazetari greko-amerikan se “nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit”, si dhe fjalimin në Knesset, duke e cilësuar atë si provokues dhe të kalkuluar politikisht.

Fakti që kritika të ashpra po vijnë njëkohësisht nga Athina dhe Ankaraja, dy shtete që tradicionalisht konsiderohen “armike”, po shihet nga analistë si një sinjal i izolimit gjithnjë e më të madh të Ramës në diskursin rajonal. Edhe pse për arsye të ndryshme dhe nga këndvështrime të kundërta, si Turqia ashtu edhe Greqia e kanë vendosur Kryeministrin shqiptar në shënjestër. /Pamfleti

rama erdogan

Lini një Përgjigje