Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani është pyetur ditën e sotme në Kuvend nga kreu i grupit të PD Gazment Bardhi në lidhje me dosjen “Xibraka” nëse ai ka marrë privatisht një mesazh nga kryeministri Edi Rama.
Dumani iu përgjigj Bardhit duke i thënë se nuk mund të japë detaje pasi çështja është në hetim, ndërsa në lidhje me informacion se Rama i ka dërguar mesazh kreut të SPAK përmes një funksionari të lartë që të mbyll sa më parë dosjen Xibraka, Altin Dumani u shpreh se marrëdhënia e tij me kryeministrin dhe çdo titullar institucioni është institucionale dhe proceduriale.
“Nuk marrë dhe përcjell mesazhe. Ushtroj detyrat e mia në përputhje me dispozitat ligjore”, tha Altin Dumani.
Debati në Kuvend Bardhi-Dumani:
Gazment Bardhi: Rezulton sipas informacioneve që ka grupi i PD se kryeministri Rama përmes një shtetasi, emrin nuk po e përmend, ju dhe unë e dini mirë për kë bëhet fjalë, një funksionar publik i ka përcjellë drejtuesit të SPAK një mesazh privat që çështja ‘Xibraka’ të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Unë dua ta di, përgjigjen që i keni përcjellë, dhe pas kësaj përgjigje a jepni ju garanci që kjo çështje do hetohet e pandikuar?
Altin Dumani: Nuk mund të jap asnjë koment se është në hetim. Lidhur me marrëdhënien e kryeministrit apo çdo titullari tjetër marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe proceduriale. Institucionale kur institucionet kanë nevojë të bashkëpunojmë dhe proceduriale kur ndonjëri prej tyre thirret. Nuk marrë dhe përcjell mesazhe. Ushtroj detyrat e mia në përputhje me dispozitat ligjore.
SPAK rihapi dosjen “Xibraka”në maj të këtij viti, ndërsa Olsi Rama u paraqit për këtë çështje para prokurorëve më 28 qershor.
Gazmend Bardhi akuzon Olsi Ramën, vëllai i kryeministrit Edi Rama, për lidhje me një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës në vitin 2014 dhe i bëri thirrje Prokurorisë që të rihapë hetimet për të verifikuar rolin e tij në dosjen e njohur të laboratorit të kokainës në Xibrakë.
Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.
Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës.
E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014. BIRN nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur dokumentet e vëna në dispozicion nga Bardhi.
Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar është mbyllur më tej.
Lini një Përgjigje