TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Korrik 2024, 11:55

"Paguhesh kot"/ Bardhi 'i kërkon llogari' kryeprokurorit Çela në Kuvend: Pse i latë pa hetuar “kokat” e grupi kriminal?

Shkruar nga Pamfleti
"Paguhesh kot"/ Bardhi 'i kërkon llogari'
Olsian Çela dhe Bardhi

Ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë ka raportuar për punën e Prokurorisë, kryeprokurori Olsian Çela, i cili nuk i shpëtoi pyetjes së Gazment Bardhit në lidhje me dosjen Xibraka.

Bardhi iu drejtua duke i thënë se vetë ai si prokuror i kësaj dosje la pa hetuar kokat e atij që kreu i grupit parlamentar i quajti grup i strukturuar kriminal.

Gazment Bardhi: Latë pa hetuar ata që njihen si kokat e këtij grupi kriminal. Në udhëzimet tuaja, këtë standard hetimi a ja rekomandoni vartësve tuaj në prokurorinë e rretheve. Dhe së dyti, dekonspirimi a duhet të hetohet, a ja rekomandoni vartësve tuaj?

Olsian Çela: Do i referohem asaj që tha drejtuesja e seancës që ky është një raportim për punën e prokurorisë për vitin 2023. Është në detyrën time  si prokuror i përgjithshëm dhe detyrën tuaj si deputet që ti përmbahemi kuadrit kushtetues dhe ligjor që  siguron trajtimin e këtij raportimi në funksion të interesit të qytetarëve.

I pyetur nga Bardhi për konfiskimin e ndërtimeve pa leje në disa kulla në Tiranë dhe në bregdet, Çela tha se disa çështje janë dërguar për gjykim.

Më tej Bardhi i tha Çelës se paguhet kot nëse ai nuk i ka këto informacione për dosjet.

Bardhi: Janë denoncuar shtesa pa leje në kulla dhe ndërtime të larta në Tiranë dhe bregdet kjo më pas u konfirmua që u vendos një procedurë të dyshimtë konfiskimi dhe shitjen tek të njëjtat persona që i kanë ndërtuar pa leje. Ju me keni thënë s’keni informacion... i bie paguheni kot si prokuror i përgjithshëm. Sa nga këto që ndërtojnë kulla në mes të Tiranës dhe askush si shikon se po ndërtojnë kate pa leje janë proceduar nga prokuroritë.

Çela: Sa i përket çështjes së ndërtimeve pa leje është çështje e trajtuar me seriozisht nga ana e prokurorive. U kam kërkuar ta trajtojnë me vëmendje maksimale. Është mjaft shqetësuese që të vuajmë nga fenomeni i ndërtimeve pa leje. Keni dorëzuar një kërkesë për këto çështje dhe u kemi sqaruar se janë të dhëna të përgjithshme. Mund t’ju them se gjatë 2024 prokuroritë një pjesë të këtyre çështjeve e kanë dërguar për gjykim.

Dosja Xibraka

Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar është paraqitur javën e kaluar në SPAK lidhur me rihapjen e hetimeve për laboratorin e drogës të zbuluar në Xibrakë në vitin 2015.

Gazmend Bardhi akuzon Olsi Ramën, vëllai i kryeministrit Edi Rama, për lidhje me një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës në vitin 2014 dhe i bëri thirrje Prokurorisë që të rihapë hetimet për të verifikuar rolin e tij në dosjen e njohur të laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.

Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.

Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës.

E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014. 

Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar është mbyllur më tej.

Në mars të vitit 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka ndarë më vete procedimin për bashkëpunëtorët e paidentifikuar, që sipas Bardhit ishte vetëm një i tillë, i diktuar nga shërbimet e vëzhgimit si drejtues i makinës së mësipërme dhe i përshkruar në dokumentet e prokurorisë si “45-vjeçar me flokë të shkurtra”.

Hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.

Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, nuk dihet çfarë fati ka pësuar dosja e veçuar sekrete me personin e paidentifikuar nga policia. Bardhi i kërkon Prokurorisë së Posaçme që të japë një përgjigje për këtë.

“Janë kaq shumë fakte, rrethana dhe indicie në dosjen e hetuar keq të prokurorisë, saqë drejtësia ka për detyrë të rihapë dosjen menjëherë,” tha Bardhi duke i bërë thirje kreut të SPAk.

olsian Çela bardhi

Lini një Përgjigje