
Kandidati i PS-së për bashkinë e Shkodrës, Benet Beci, është shprehur se marrja e drejtimit të qytetit të lindjes, ka qenë një destinacion që ai e ka planifikuar prej kohësh.
Në një intervistë për “Të paekspozuarti” Beci tha se e ka si qëllim që të bëjë gjëra të mira për Shkodrën. Ndërsa kur u pyet nëse i kishte “hyrë detit në këmbë”, meqë PS nuk e ka fituar asnjëherë Shkodrën, Beci u shpreh në mënyrë po metaforike se nuk është problem kur di not.
“Kandidimi për Shkodrën duket se ka qenë një destinacion i imi prej kohësh dhe duket se të gjitha rrugët dhe eksperienca ka qenë mbushja e CV-je për të ardhur një ditë në vendin tënd të origjinës dhe të kesh mundësi të bësh ato gjëra që ti di më mirë të bësh.
Unë jam nga Shkodra me origjinë, kam shtëpinë e gjyshit, familjen. Familja Beci është e njohur në Shkodër, me kontribute. Një nga të parët tanë ka qenë komandant i forcave të mbrojtjes së Ulqinit, Mehmet Beci. Becët në Shkodër janë një familje me emër të mirë, im atë ka qenë profesor i gegnishtes dhe është profesor i thelluar i linguistikës.
Shumë vite kam punuar dhe kam realizuar projektet më të mëdha në Shqipëri. Nga 2005-2013 kam realizuar një ndër projektet më të mëdha, me qeverinë “Berisha”, projektin më të madh të rrugëve rurale, një projekt i Bankës Botërore për lidhjen e 365 fshatrave, një rrjet i jashtëzakonshëm infrastrukturor.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit arriti t’i dhjetëfishojë fondet e donatorëve, sepse e nisëm me 8 milionë dollarë dhe e kam lënë me 150 milionë dollarë në vit. Shumë projekte të rëndësishme, si Lungomare e Vlorës, shëtitorja e Beratit, Fototeka “Marubi” në Shkodër dhe sheshi i Shirokës kanë qenë gjatë kësaj kohe”, tha Beci.
Rakipi: Nuk menduat ndonjëherë si i hytë detit në këmbë, sepse PS nuk e ka patur asnjëherë?
Beci: Kur di not edhe mund të notosh dhe nuk quhet se i hyn me këmbë nëse di not.
Lini një Përgjigje