TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Janar 2024, 18:30

Nuk ka vendim për paktin Rama-Meloni, Kushtetuesja shtyn seancën për javën e ardhshme

Shkruar nga Pamfleti
Nuk ka vendim për paktin Rama-Meloni, Kushtetuesja shtyn seancën
Rama-Meloni

Kushtetuesja nisi sot shqyrtimin gjyqësor të paktit me Italinë për emigrantët...

Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë sot një vendim sa i takon paktit Rama-Meloni për emigrantët. Sot u mbajt seanca e parë mbi padinë e bërë nga opozita, por pas 8 orësh diskutime me dyer të mbyllura, gjykata ka vendosur që seanca të shtyhet për në datën 24 janar.

Gjykata sqaron se, gjatë shqyrtimit të çështjes Këshilli i Ministrave ka deklaruar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995.

Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenin 44/a të ligjit organik të saj vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e këtij traktati si provë dhe për këtë shkak, seanca plenare e radhës do të zhvillohet në datën 24.01.2024, ora 11.30.

Pakti Rama-Meloni synon që ta kthejë Lezhën në një kamp refugjatësh. Kryeministri ra dakord që Italia t’i strehojë në Gjadër refugjatët që kap në det, pa asnjë lloj tarife. Mirëpo opozita e ankimoi në Kushtetuese paktin, duke e cilësuar se shkel sovranitetin e vendit. Gjykatat, kur e mori në shqyrtim vendosi pezullimin e saj derisa të ketë një vendim final.

Njoftimi i gjykatës

1.      Sot në datën 18.10.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (kërkuesi), me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.

2.      Gjykata mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit, prapësimet me shkrim të subjekteve të interesuara Kuvendi i Shqipërisë (Kuvendi), Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe Avokatit të Popullit si edhe provat e paraqitura nga keto subjekte, ndersa konstatoi mungesën e prapësimeve me shkrim të Presidentit të Republikës.

3.      Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenin 44/a të ligjit organik të saj vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove dhe për këtë shkak, seanca plenare e radhës do të zhvillohet në datën 24.01.2024, ora 11.30.

4.      Sa i takon kërkesës së grupit të deputetëve për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Lini një Përgjigje