
Parlamenti e ka humbur luftën politike. Këta janë në gjendje mendore jo të qartë për kohën. Kanë pasur mangësi në koshiencën politike...
Avokati Spartak Ngjela ka komentuar situatën në kampin opozitar, duke paralajmëruar një fund të hidhur për Sali Berishën.
I pyetur nëse Argita Malltezi mund të jetë e zgjedhura e Sali Berishës në testamentin e tij politik për Rithemelimin, avokati Spartak Ngjela tha se ish-kryeministri do humbasë besimin për të bërë testament të tillë nëse dënohet me vendim të formës së prerë nga GJKKO për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’.
Avokati tha se në rast të një vendimi të tillë, ky do ishte largimi zyrtar i Berishës nga politika.
“Berisha nuk mund ta konsiderojë veten si testator, pa dalë vendimi i gjykatës. Është politikan me besim të lartë ndaj vetes, nuk mund ta analizojmë si psikik, por ka besim tek vetja. Do t’i ikë besimi për të bërë testamentin atëherë kur të dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës, se nuk do jetë më deputet. Ky është largim nga politika. Kjo është në rast se dënohet. Unë nuk e kam parë dosjen e tij, por edhe nëse do e kisha parë, nuk mund të flisja sepse jam avokat jo akuzator”, tha avokati.
Ndërsa sa i takon mundësisë që vajza e Berishës, Argita Malltezi ta pasojë atë në krye të Rithemelimit, Ngjela tha se është brenda normës politike duke nënvizuar se ka shembuj për ‘parti familjare’.
“Brenda normës politike është, ja ku i ke grekët. “Parti familjare”, nuk është vetëm këtu, ja ku e ke grekun familjare 4 breza. Kjo është një gjë normale, nuk e ndërron dot sepse del me vota, kundërshtarët nëse kanë ndonjë gjë për këtë lëvizje duhet t’i drejtohen elektoratit kur vjen votimi të mos japin votën”, argumentoi Ngjela në “Report TV”.
Mes të tjerash, avokati theksoi se opozita do të vazhdojë të humbasë ekuilibrin hap pas hapi dhe se për raste të tilla mund të ketë edhe procese gjyqësore. Sipas Ngjelës, deputetët e opozitës duhet ta kuptojnë se një sjellje e tillë i largon ata gjithmonë e më shumë nga marrja e pushtetit të qeverisjes.
“Parlamenti e ka humbur luftën politike. Këta janë në gjendje mendore jo të qartë për kohën. Kanë pasur mangësi në koshiencën politike por kriza ua nxorri në pah. Nuk kanë fuqi t’i rezisztojnë gjatë një humbje të thellë. Ekuilibri do vazhdojë të humbasë hap pas hapi. Kam 4 raste të tilla nëpër parlamentet e opozitave që kanë humbur Këtu do shikoni procese gjyqësore, por a do kenë mundësi të kuptojnë se ajo rrugë nuk i sjell dot në pushtet po i largon njëherë e përgjithmonë? Nuk e di, duhet ta shikojnë me vëmendje”, shtoi avokati.
Lini një Përgjigje