
Dekretimi i ligjit të ndryshuar për Komisionet Hetimore nga presidenti Bajram Begaj, ka shkaktuar një reagim të madh në radhët e opozitës, të cilët e quajtën atë veprim të njëanshëm.
Lidhur me këto akuza kundrejt presidentit Begaj, ka reaguar, kryeministri Edi Rama, i cili e ka marrë në mbrojtje këtë të fundit, duke deklaruar se Kreu i Shtetit ka zbatuar Kushtetutën.
Më tej në reagimin e tij, Rama shprehet se ka ikur koha e presidenteve të cilët përdornin Kushtetutën si molotov dhe udhëhiqnin aksionet opozitare, duke ju referuar këtu Ilir Metës.
“Koha politike kur Presidenti i Republikës bashke udhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë!
Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje