
Sot u zhvillua një protestë para kryesisë së Kuvendit pas përplasjes së djeshme në Komisionin e Medias ku Gazment Bardhi dhe Flamur Noka i ndërprenë fjalën Flutura Açkës.
Ata nuk lanë drejtuesen e Komisionit të flasë duke i shkulur mikrofonin. Zëdhënësja e PD zyrtare Mirela Karabina tha para mediave se dy deputetët ushtruan dhunë verbale ndaj Açkës, teksa theksoi se raste të tilla nuk duhet të ndodhin më në Kuvend.
“Dy deputetët kanë turpëruar këdo që ka qenë aty. Deputet gra të parlamentit shqiptar dëshmuan fuqinë e fjalës së një gruaje. Açka doli mbi dhunën, në vend të dhunës dhe britmave triumfoi arsyeja dhe logjika. Raste të tilla nuk duhet të ishin në parlament dhe nuk duhet të ndodhin më”, tha Karabina.
Sekretarja për Gruan në PS Taulanda Jupi tha se është e patolerueshme ajo që ndodhi gjatë ditës së djeshme, pasi sipas saj kishte dhunë verbale dhe gjuhë bullizuese.
Ajo u shpreh gjithashtu se deputetët dhunues në Kuvendin e Shqipërisë nuk i dallon asgjë nga abuzuesit e tjerë të vajzave dhe grave.


Lini një Përgjigje