
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama se qeveria e tij nuk do të bashkëpunojë me ato bashki që do të fitojnë kandidatët e opozitës.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Berisha iu përgjigj analistit Denis Dyrnjaja, ku u shpreh se ai e bëri këtë më parë se s’kishte opozitë, por tani që ka opozitë nuk e bën dot kurrë, sepse kjo është shkelje e Kushtetutës. Më tej ish-kryeministri është shprehur se Rama do të detyrohet të japë fonde për bashkitë që fiton opozita “me një këmbë”.
Pjesë nga biseda në studio:
Dyrnjaja: Ju keni vendosur një minimum jetik për Shqipërinë, që njerëzit jashtë Tiranës të kenë qendrën shëndetësore, shkollën, kopshtin dhe ujësjellësin. Keni bërë një plan se si do ju shkojë ky njerëzve? Cila është oferta opozitare?
Berisha: Në çdo takim unë shkoj me tezën që çdo fshat do të ketë infrastrukturën e lagjes së qyteteve. Por e vërteta është se kjo është një “këngë e vjetër” e imja, sepse unë kam punuar shumë për këtë. Nëse janë ndërtuar 8300 kilometra rrugë dhe mbetën pa u ndërtuar edhe nja 3500 kilometra, kishin vetëm këtë synim, që aty ku jetojnë të kenë rrugën, shkollën, qendrën shëndetësore, ujësjellësin dhe kanalizimet.
Dyrnjaja: Erdhi kandidati i Shkodrës te Ylli Rakipi dhe për dy orë u ankua se nuk kishte fonde dhe qeveria nuk ia jepte dhe sot Rama thotë se nuk do të marrë fonde asnjë kandidat i opozitës që do të marrë pushtet.
Berisha: Do të rrëzohet Edi Rama. Ai e bëri këtë se s’kishte opozitë, por tani që ka opozitë dhe s’e bën dot kurrë, sepse kjo është shkelje e Kushtetutës dhe në këto zgjedhje ne rivendosemi, sepse jemi jashtë. Të garantoj se kurrë nuk do të sillet në atë mënyrë. Merr fund kjo punë. Ky është revolucion. Do të detyrohet t’i japë me një këmbë.
Lini një Përgjigje