Debati për projektin “Porta e Alpeve” është shoqëruar me tensione të forta politike në Kuvend, ku Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, sulmoi ashpër qeverinë Rama për mënyrën sesi, sipas tij, Veriu i vendit është braktisur dhe lënë në izolim gjatë viteve të fundit.
Nga foltorja e Parlamentit, Noka akuzoi mazhorancën se ka shkaktuar shpopullimin e zonave veriore përmes keqqeverisjes, mungesës së investimeve dhe bllokimit të zhvillimit ekonomik.
“Po mirë, shkoni çik, shikojeni Veriun. Në zonën e Dukagjinit. Shkoni, shikoni në Malësi të Madhe, në Tropojë, në Has, në Kukës, në Dibër. Janë shpopulluar nga keqqeverisja juaj të gjithë fshatrat. Ka një rrënim, një shkretim të frikshëm dhe të dhimbshëm. Të dhimbshëm. A ka qenë skenari juaj? Po, të shpopullohen, të shkretohen, që ju pastaj të rrëmbeni çdo gjë atje. Ky ka qenë skenari juaj”, deklaroi Noka.
Ai akuzoi qeverinë se ndërsa promovon projekte turistike dhe flet për zhvillim elitar, në realitet ka izoluar Veriun përmes mungesës së infrastrukturës dhe vendosjes së tarifave në rrugët kryesore.
“Dhe pastaj flisni ju për turizëm elitar. Po Veriun e keni tërësisht të izoluar. E keni dy tra, dy tra i keni vendosur Veriut. Dhe kush guxon të shkojë në Veri duhet... i keni vënë bllokadë ju. Ju mo ju, askush tjetër. Dhe po planifikoni dhe tra të tjerë për t'i vendosur Veriut. Ju që flisni këtu për Veriun”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Flamur Noka ndaloi edhe tek gjendja e infrastrukturës rrugore në veri, duke përmendur Rrugën e Kombit dhe segmentin Milot-Rrëshen, për të cilin tha se vijon të mbetet problematik edhe pas 14 vitesh qeverisjeje socialiste.
“Po pse s'ju kujtua ju Alpeve dhe Veriut t'i rregulloni rrugët? Shikojeni Rrugën e Kombit. Meqë flisni për Veriun. Kur ne dolëm në opozitë, segmenti Milot-Rrëshen ngeli i papërfunduar. Keni 14 vjet në pushtet, s'e keni bërë. Pse? E urreni Veriun! Ky e urren Veriun! Ky, Ajatollah Surreli!”, deklaroi Noka, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.
Deklaratat e Nokës vijnë në një moment kur qeveria po promovon projektin “Porta e Alpeve” si një nismë strategjike për zhvillimin e turizmit malor në veri të vendit. Opozita, megjithatë, pretendon se investimet reale mungojnë dhe se zonat veriore vijojnë të përballen me emigracion masiv, rrugë të amortizuara dhe mungesë shërbimesh bazë.
PD tani qelbet ere kerme! Tani ka filluar me politiken e ndasive te shqipetareve.. Nuk kane as justifikime e as argumente.. Qelbesirllik!