TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Maj 2026, 20:11

“Nuk na dëgjonit ne, tani ju flet BE”, Bardhi në Kuvend: IBAR nxjerr në pah aferat korruptive!

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk na dëgjonit ne, tani ju flet BE”, Bardhi në Kuvend:
Gazment Bardhi

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në Kuvend se raporti i IBAR-it i Bashkimit Europian pasqyron të njëjtat shqetësime që opozita ka ngritur vazhdimisht për situatën në Shqipëri.

Bardhi lexoi pjesë nga raporti, ku theksohet se korrupsioni mbetet i përhapur në administratën qendrore dhe vendore, si edhe në institucione të ndryshme publike. Në dokument përmenden si sektorë me risk të lartë infrastruktura publike, kadastra, prokurimet publike, kontratat PPP, doganat, administrata tatimore, arsimi dhe shëndetësia.

Bardhi deklaroi gjithashtu se raporti ngre shqetësime edhe për standardet zgjedhore. Ai tha se BE kërkon krijimin e barazisë mes palëve në zgjedhje dhe eliminimin e rrjeteve të patronazhimit politik.

Deputeti i PD-së u shpreh se mazhoranca nuk ka marrë parasysh më herët denoncimet e opozitës, por tani, sipas tij, do të duhet të zbatojë rekomandimet e vendosura nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.

“Jua ka zbardhur media, meqë thoni IBAR nuk ka lidhje me Ballukun. E lexuat apo edhe atë bëtë sikur nuk e lexuat. Megjithatë, BE-ja thekson se korrupsioni mbetet i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe biznesit, përfshirë të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe vendore, si edhe institucionet, duke mbetur një çështje me shqetësim serioz. BE-ja vëren progresin e Shqipërisë për të ndryshuar dhe plotësuar më tej kuadrin e saj ligjor dhe institucional në luftën kundër korrupsionit.

BE-ja thekson se këto masa tani duhet të zbatohen me vendosmëri dhe të japin ndikim veçanërisht në sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni, mbi të gjitha në infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat e pronësisë, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat.

BE-ja fton Shqipërinë të përfundojë rishikimin dhe zbatimin efektiv të legjislacionit mbi donacionet dhe sponsorizimet, si edhe mbi financimin e partive politike, përmes një dialogu gjithëpërfshirës dhe konstruktiv ndërpartiak.

BE-ja thekson se Shqipëria duhet të bëjë progres të mëtejshëm të konsiderueshëm në parandalimin dhe luftimin e natyrës së përgjithësuar dhe të përhapur të korrupsionit. BE-ja vëren përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar kapacitetet institucionale dhe koordinimin e institucioneve të parandalimit të korrupsionit. Gjithashtu, BE-ja vëren konsolidimin e kapaciteteve operacionale dhe njerëzore, , thuhet në raportine IBAR.

Ju keni thënë s’kemi probleme me zgjedhjet, por IBAR thekson se duhen marrë masa të krijohet barazi mes palëve ndërsa shto se duhet të zhduket rrjeti i patronazhistëve.

Meqë deri tani nuk e keni dëgjuar opozitën që nuk ka thënë asnjë germë ndryshe nga sa ju ka thënë BE, në IBAR, jeni të detyruar të zbatoni tani atë që ju kanë kërkuar 27 vendet e BE-së."-tha Bardhi në Kuvend.

gazment bardhi kuvend

Lini një Përgjigje