
Ditën e sotme në Gjykatën e Apelit ka nisur gjyqi kundër deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji lidhur me çështjen “Babale”.
Vetë deputeti Ervin Salianji është i pranishëm në seancë dhe ka bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri nga trupa gjyqësore e Apelit për gjyqin e çështjes Babale.
“Kërkoj përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri. Ka papajtueshmëri për shkak se është shprehur në lidhje me përjashtimin e gjyqtarit Artan Gjermeni në shkallë të parë dhe më pas këtë ankim e drejtuam në Gjykatën e Lartë, ku çështja u shqyrtua nga gjyqtari Sokol Sadushi. Ky i fundit bashkëshort i Edlira Petrit, që po gjykon çështjen në apel”, ka thënë deputeti.
Salianji u shpall fajtor për veprën penale ‘Kallëzim i rremë’ në lidhje me çështjen “Babale”, ku u dënua nga gjykata e Shkallës së Parë me 1 vit burg.
Në Apel e ka çuar çështjen edhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti.
Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë, deputeti Salianji rrezikon burgun.
Herën e fundit ishte parashikuar të mbahej më 30 janar dhe u shty pasi një një nga anëtarët e trupit gjykues nuk ka qenë i pranishëm në sallë.
Si nisi dhe çfarë është dosja Babale?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”.
Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvanit) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.
Lini një Përgjigje