
Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të kryetarëve, është rënë dakord ngritja e një grupi prej 3 deputetësh të cilët janë mandatuar për të biseduar me grupin e Rithemelimit për çështjen e gjetjes së gjuhës së përbashkët për një kandidat të Partisë Demokratike.
Ky grup do të përbëhet nga Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha.
Gjithashtu forumet e PD vendosën afatin e këtij komunikimi deri ditën e premte.
Më parë, kreu i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, në një dalje për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, është shprehur se ndihet drejtues dhe ushtrues i detyrës së kryetarit që prej se ish-kryedemokrati Lulzim Basha dha dorëheqjen.
“Jo vetëm jam, por ndihem drejtuesi i PD-së, ushtruesi i detyrës, dhe jo vetëm sot por që nga momenti që zoti Basha bëri të ditur dorëheqjen,” deklaroi ai.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur të shkojë në zgjedhje në krah të Ilir Metës dhe jo të Alibeajt dhe demokratëve të tjerë.
Dje u zhvillua një mbledhje e gjatë mes Alibeajt dhe anëtarëve të tjerë të Kryesisë së PD, ku u vendos që të bëhet një ofertë bashkimi me grupin e Berishës, me qëllim që në zgjedhje të shkohet me kandidatë të përbashkët. Por Berisha e ka refuzuar zyrtarisht këtë ofertë.
Në emisionin “Opinion”, ai theksoi se Alibeaj dhe Basha janë pengje të kryeministrit Edi Rama dhe se përdoren prej tij për të dëmtuar PD.
Lini një Përgjigje