
Ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur të shkojë në zgjedhje në krah të Ilir Metës dhe jo të Alibeajt dhe demokratëve të tjerë.
Sot pati një mbledhje të gjatë mes Alibeajt dhe anëtarëve të tjerë të Kryesisë së PD, ku u vendos që të bëhet një ofertë bashkimi me grupin e Berishës, me qëllim që në zgjedhje të shkohet me kandidatë të përbashkët. Por Berisha e ka refuzuar zyrtarisht këtë ofertë.
Në emisionin “Opinion”, ai theksoi se Alibeaj dhe Basha janë pengje të kryeministrit Edi Rama dhe se përdoren prej tij për të dëmtuar PD.
“Nuk ka marrëveshje me pengjet po nuk i la pengmarrësi. Lulzim Basha me daljen në dritë të aferës me McGonigal është e qartë që mbyllja e dosjes së Bashës është marrje peng nga Rama. Peng është dhe Alibeaj. Me pengun nuk ka negociata. Ata që më thonë se mund të negociojnë me Bashën dhe Alibeajn ata mendojnë se mund të negociohet me hiçin. Ata janë vegla në duart e Ramës”, tha ai.
Më tej ai e ka konfirmuar hapur se në zgjedhje do të shkojë krah Metës. Berisha tha se ata janë në koalicion me PL dhe do shkojnë bashkë, madje do ndajnë dhe këshillat bashkiakë.
“Shumica dërrmuese më ka sugjeruar koalicionin. Ne bëmë një diskutim të hapur në të gjitha forumet e PD-së. Shumica e diskutantëve ishte që PD duhet të hyjë në koalicion në këto zgjedhje. Pati edhe mendime që mund të hyjë me kandidatë të pavarur, mirëpo predominoj mendimi që duhet hyrë me koalicion dhe unë mbështes shumicën. Me Partinë e Lirisë ne kemi koalicion dhe PL mbështet të gjithë kandidatët tanë me të gjithë potencialin e saj. PL ka opsion legjitim që mund të kandidojë me këshilltarë vetëm ndaj dhe këtu mund të jetë PL, mund të jenë forca të tjera politike, por ne do të hyjmë me koalicion”, tha ai.
Me këto deklarata Berisha duket se ka bërë zgjedhjen e tij. Ai nuk do bashkimin e PD, por do shkojë në zgjedhje në krah të Metës.
Lini një Përgjigje