
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek zhvillimet brenda opozitës, teksa këtë të premte që shkoi ish-kryeministri Sali Berisha dhe grupimi i tij i “Rithemelimit” morën një goditje të fort nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, pasi u hoqi të drejtën e vulës dhe logos së Partisë Demokratike, duke ja kaluar atë Lulzim Bashës, i cili figuron ende si kryetar i PD. Gjatë një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Klosi shprehet se Berisha, madje dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e kanë mbyllur ciklin nisur nga dështimi në protesta e thirrura së fundmi, ku janë para një numër i vogël protestuesish që i janë bashkuar thirrjeve të tyre për manifestim kundër Edi Ramës. Po ashtu, ish-kreu i SHISH shprehet se qytetarët nuk kanë më besim tek Berisha, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që kryefoltoristi të largohet nga politika dhe t’i hapë rrugë bashkimit të demokratëve. Ndërkohë zoti Klosi ka treguar edhe arsyen se përse SHBA-të janë të interesuara që Berisha të mos jetë në krye të PD.
-Zoti Klosi, a e konsideroni normale situatën aktuale të tensionuar politikisht që po përjetojmë?
Nuk e quaj normale. Normaliteti do ishte një gjë krejt tjetër, të gjitha ato që thuhen në sheshe, në televizione të zhvilloheshin në Parlament, sepse atje është arena e luftës politike dhe gjithë situatë jo normale po krijohet nga opozita. Pastaj ata që janë pas Berishë s’janë kopje të tij, çfarë thotë Berisha të gjithë janë gati nuk kam pas dikë që të thotë opinionin e tyre, pra janë kopje të vogla të tij, është për të ardhur keq, këta deputet nuk përfaqësojnë popullin derisa flasin identik me të. E gjitha nisi, kur kryetari i asaj kohë i PD tha se Berisha nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar të PD pas shpalljes non grata nga Amerika dhe ku më pas u bënë shumë kongrese PD u përça dhe ja ku jemi sot.
-Si e shihni vendimin e Apelit për Partinë Demokratike?
Ata janë profesionist dhe duke qenë se u menduan aq gjatë kanë dhënë një vendim të drejtë. Them se Berisha e ka menduar me kohë një mundësi të tillë, nuk besoj se ai ishte i bindur se do ta fitonte atë gjyq. I ka mbetur shumë pak kohë për t’u regjistruar, madje gati-gati duket se nuk e ka me shumë qejf, por pastaj me ato që ka deklaruar nuk duket ashtu, të shohim se çfarë do të bëjë sepse është vërtetë pak e paqartë se çfarë do bëjë, do kandidojë së bashku me Partin e Lirisë.
-Po akuzën e ish-kryeministrit Sali Berisha se gjykatësit e “Apelit” lexuan vendimin e përgatitur në zyrat e kryeministrit Edi Rama si e komentoni?
Nuk është për t’u çuditur sepse Sali Berisha në fakt kurrë nuk ka mbajtur faj për vete, edhe kur i ka ndodhur diçka gjithmonë ia ka hedhur fajin të tjerëve edhe tani fajin do të ja hedh Ramës, sepse kjo është në natyrën e tij.
-Mendoni se “Foltorja” e Berishës mund të mbetet jashtë zgjedhjeve të 14 majit përderisa vetë kreu i “Foltores” ka deklaruar se nuk do të ketë koalicion me asnjë parti tjetër, apo në fund Meta dhe Berisha do të bashkohen?
Nuk dihet, por që asnjëherë nuk i kam besuar atij për ato që ka thënë, kështu që të gjitha i pres prej tij, por që të dal në emër të Partisë Demokratike, nuk e besoj. Zgjedhja më e mirë ishte ajo që i tha kryeministri Edi Rama që i tha bashkohuni dhe dilni me emrin e Partisë Demokratike të gjithë bashkë. Edhe unë mendoj se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë nëse do donin të merrnin ndonjë bashki në ato zgjedhje që po vijnë, pra bashkimi brenda Partisë Demokratike edhe pse nuk besoj se ka bashkim brenda Partisë Demokratike pa ikur Berisha. Sali Berisha duhet që të hap krahun, pra bashkimi mund të ndodh vetëm me ikjen e tij.
-Si e shihni praninë e amerikanëve në gjyqin ku u vendos për fatin e Partisë Demokratike?
Ata janë të interesuar dhe kanë bërë deklarata të forta, ku kanë thënë që me Berishën në Partinë Demokratike mos prisni miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shohin që Berisha është i rëndësishëm në Partinë Demokratike. Reforma në drejtësi që është kontribut i tyre edhe politikën në Shqipëri ata e kanë në qendër të vëmendjes, duke qenë se duan një aleat të qetë dhe një aleat ku klasa politike të bëjë luftën e saj, por jo absurditetet. Pastaj ata çdo gjë që ndodh këtu e shohin dhe e analizojnë.
-Dy parti nuk mblodhën dot as 2 mijë persona në shesh, pse dështoi revolucioni që paralajmëroi Berisha dhe Meta?
Gjithmonë e më i ulët do të jetë numri i protestuesve, sepse njerëzit lodhen dhe pastaj nuk ka ndonjë gjë të re. Berisha u mburr shumë për revolucion, por të gjitha janë broçkulla, ose janë dëshira të tij, njerëzit po e shohin se është thjesht problem personal i tij. Zgjedhja më e mirë për zgjedhjet e ardhshme do ishte të largohej Berisha dhe pastaj të merren vesh, unë çuditem me ata që janë pas tij që këtë gjë se kuptojnë, ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Nuk çuditem që në ftesën që i bënë ai njerëzve që hajde të bëjmë revolucion nuk kam dëgjuar ndonjë prej tyre që të thotë ca revolucioni për këtë do bëjmë revolucion që të bëhet ky kryeministër, sepse ai flet në emër të Shqipërisë. Votimet e fundit kanë treguar se ai nuk është askund si përfaqësues i vendit, ai është deputet për vete, njerëzit nuk presin më për tij. Ai po lufton për interesat e tij pastaj për partinë dhe në fund për Shqipërinë. Ai flet për revolucion, por që nuk i leverdis të thotë se ca është një revolucion i vërtetë dhe se si bëhet ai. Ai thjesht do të jetë vet në krye të vendit dhe nuk i pëlqen kjo qeveri. /SOT
Lini një Përgjigje