
Pas vendimit të Apelit, ish-kryeministri Sali Berisha duket se do të marrë një goditje tjetër pas 14 majit. Vendimi Apelit e ktheu situatën në pikën zero, çka do të thotë se në fuqi është statuti i miratuar që në kohën e Lulzim Bashës.
Ndërkohë sot ka pasur një debat mbi atë se kush është kryetari. Alibeaj dorëzoi sot në KQZ kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet e 14 majit dhe bashkë me dokumentet ishte dhe një prokurë, ku Basha ja delegonte atij të drejtat, pasi sipas regjistrit të partive në gjykatë, Basha është ende kryetar.
Alibeaj foli për herë të parë mbi këtë situatë dhe paralajmëroi se pas zgjedhjeve të 14 majit, do të mbahen zgjedhjet për kreun e partisë. Ai tha se Basha figuron kryetar, pasi gjykata është duke pritur emrin e kryetarit të ri dhe nuk regjistron dorëheqjet.
“Ndihem drejtuesi i Partisë Demokratike, ushtruesi i detyrës që nga momenti që ju e dini që zoti Lulëzim Basha është dorëhequr. Që ta dini të gjithë, në gjykatë regjistrohen emrat e kryetarëve të partive. Në rastet kur ka një dorëheqje, ajo se çfarë do të duhet të regjistrohet është zgjedhja e kryetarit të ri të partisë aktet e dorëheqjes nuk regjistrohen. Do të thotë se do të pritet, siç jeni në dijeni tashmë, që Partia Demokratike të organizojë procesin e zgjedhjeve nga bazë deri lart sipas procedurave dhe rregullave dhe do të kemi atë”, tha ai.
Vetë sot në Kryesinë që mblodhi Alibeaj u ra dakord që “foltores” t’i shtrihet dora e bashkëpunimit, por është e qartë se kërkohet bashkimi i PD, por për Berishën nuk ka asnjë lloj ndryshim të mendimit. Për Alibeajn momentalisht PD është pa kryetar dhe atij i lind e drejta që të organizojë zgjedhje të reja për të zgjedhur pasuesin zyrtar të Bashës. Berisha është ende i përjashtur dhe do të thotë se nuk kandidon dot. /Pamfleti
Lini një Përgjigje