Një incident u regjistrua pasditen e së enjtes gjatë protestës pranë Kuvendit, ku një prej drejtuesve të protestës, Edison Lika, u shoqërua nga forcat e Policisë së Shtetit teksa ishte duke dhënë një intervistë për News24.
Momenti u filmua nga kamerat, ndërsa efektivët e policisë iu afruan Likës dhe e larguan nga vendi ku po fliste për mediat. Në pamje ai shihet teksa tërhiqet nga efektivët përgjatë trotuarit në krah të lumit Lana.
Pak çaste përpara shoqërimit, Lika po fliste për zhvillimet e protestës dhe akuzonte policinë për përdorim force ndaj qytetarëve.
"Policia po ndjek një protestues poshtë Lanës. Ka ardhur të protestojë, ata kishin bllokuar rrugën përtej Lanës. Policia po ndjek protestuesit me vrap. Protesta është te Kuvendi dhe ata po i ndjekin protestuesit. Sot jemi përballur me dhunë, ata kanë hedhur tre autobotë me ujë. Kanë dhunuar gra dhe fëmijë. Numri ynë përballë policisë ka qenë në disproporcion", deklaroi ai gjatë intervistës.
Shoqërimi i Likës ndodhi në një kohë kur situata në zonën përreth Kuvendit mbetej e tensionuar. Gjatë gjithë ditës pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa efektivët përdorën autobotë me ujë për të shpërndarë turmën dhe për të krijuar perimetrin e sigurisë rreth Parlamentit.
Lini një Përgjigje