TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Maj 2026, 13:00

Nga autobusët elektrikë te “Smart City”, Ervin Demo zbulon detajet e planit urban

Shkruar nga Pamfleti
Nga autobusët elektrikë te “Smart City”, Ervin Demo zbulon
Ervin Demo

Transport urban me autobusë elektrikë, parkime publike, rikthim i ish-zonave industriale në funksion të komunitetit dhe investime në hapësira rekreative janë disa nga shtyllat kryesore të programit “Rilindja Urbane 2.0”, të prezantuar nga qeveria.

Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, deklaroi se programi do të mbështetet në 11 objektiva strategjikë që synojnë zhvillimin urban, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e ekonomisë lokale.

Një nga elementët kryesorë të projektit është ndërtimi i parkimeve publike në 12 bashki të vendit, me një sipërfaqe totale prej 160 mijë metrash katrorë dhe potencial për rreth 15 mijë vende parkimi.

“Përmirësimi i funksioneve dhe aksesit në zonat urbane. Po fokusohemi në ndërtimin e parkimeve për të krijuar akses të qëndrueshëm, 160 mijë metër katrorë sipërfaqe në 12 bashki, kanë potencial në 15 mijë pose parkimi. Jemi fokusuar në bashkitë që kanë jo thjesht intensitet urban të theksuar, por edhe flukse turistik të konsideruar”, tha Demo.

Në fokus të programit do të jetë edhe transporti publik urban, ku qeveria synon të pilotojë autobusët elektrikë në disa bashki gjatë muajve të fundit të këtij viti.

“Jemi duke trajtuar bashkitë që do jenë model e kësaj nisme. Transporti do jetë i bazuar në autobusë elektrikë, bashkia e parë që do të pilotohet do jetë brenda 3 mujorit të fundit të këtij viti. Qeveria do ju vijë në ndihmë bashkive për të kaluar barrierën e parë, sa i përket investimit për të krijuar kapacitetet për të ofruar këtë shërbim në standardet e duhura”, vijoi Demo.

Një tjetër prioritet i “Rilindja Urbane 2.0” është rigjenerimi i ish-fabrikave dhe hapësirave industriale të braktisura, të cilat do të shndërrohen në ambiente sportive, zona rekreative dhe qendra në mbështetje të startup-eve.

“Objektivi i tretë është rigjenerimi i ish-hapësirave industriale në asete për komunitetin, janë ish-fabrika që janë privatizuar ose janë pjesërisht të privatizuara, ose janë në pronësi shtet. Janë potenciale që duhet ti rikthehen komunitetit. Në fokus do të jenë shërbime parësore që i vijnë në ndihmë komunitetit, me ambiente sportive apo zona rekreative, duke parë me imtësi edhe zhvillimin lokal të ekonomisë, duke u orientuar drejt start up-eve të reja që mund të përdorin këto asete”, u shpreh ministri.

Programi përfshin gjithashtu investime në infrastrukturën publike dhe sistemin parauniversitar, si dhe mbështetje për inovacionin dhe zhvillimin ekonomik lokal.

“Rritja e standardit të infrastrukturës publike duke harmonizuar arkitekturën lokale me atë çfarë qytetet ofrojnë dhe duke krijuar potencial të ri zhvillimi për zona të caktuara. Fokusohemi tek objekte publike që kanë të bëjnë me sistemin parauniversitar. Duke punuar me arkitektë vendas dhe të huaj që do tu vijnë në ndihmë bashkive me projekte që sjellin vlerë të shtuar. Nxitja e inovacionit, për tu dhënë mundësi të rinjve për tu përfshirë në zhvillimin ekonomik lokal. Është e domosdoshme të krijojmë hartë dinamike sa i përket start up”, shtoi ministri Demo.

Në kuadër të programit, qeveria synon gjithashtu forcimin e identitetit lokal dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes ndërtimit të muzeve lokalë.

“Janë 11 objektiva strategjikë do përshihen në këtë program të ri, duke filluar me forcimin e identitetit lokal që do fokusohet në ndërtimin e muzeve lokalë, duke marrë në konsideratë zhvillimin e turizmit, por edhe për të forcuar identitetin lokal”, theksoi Demo.

Programi “Rilindja Urbane 2.0” parashikon gjithashtu krijimin e 140 hapësirave të reja rekreative, menaxhim më të mirë të mbetjeve sipas standardeve të BE-së dhe zhvillimin e konceptit “Smart City” në qytetet shqiptare.

ministri i pushtetit vendor ervin demo “rilindja urbane 2.0”

Lini një Përgjigje