Ambasada amerikane kërkon shmangien e zonës së protestës dhe paralajmëron për masa të shtuara sigurie, bllokime rrugësh dhe kufizime të qarkullimit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e opozitës që pritet të zhvillohet të premten, më 8 maj, në kryeqytet.
Njoftimi vjen edhe pse kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar publikisht se protesta do të jetë paqësore.
Në deklaratën e publikuar nga ambasada amerikane theksohet se grumbullimet masive, edhe kur nisin paqësisht, mund të përshkallëzohen në mënyrë të papritur.
“Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Sipas njoftimit, protesta është planifikuar të nisë në orën 19:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, pranë godinës së Kryeministrisë.
Ambasada paralajmëron se tubimi mund të shtrihet edhe në zona të tjera përreth, ndërsa autoritetet shqiptare pritet të vendosin masa të shtuara policore dhe kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore.
Po ashtu, bëhet e ditur se stafi i ambasadës amerikane është udhëzuar të shmangë zonën ku do të mbahet protesta.
Në këshillimin për shtetasit amerikanë, ambasada u rekomandon atyre të shmangin zonat ku zhvillohen protestat, të ndjekin mediat lokale për përditësime mbi situatën dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve në publik.
Paralajmërimi i SHBA-së vjen në një moment tensioni politik mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa Partia Demokratike ka paralajmëruar mobilizim të madh në Tiranë.
Berisha ka deklaruar në daljet e fundit publike se protesta do të jetë qytetare dhe pa incidente, por reagimi i ambasadës amerikane tregon shqetësim për mundësinë e agravimit të situatës gjatë tubimit.
Lini një Përgjigje