TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Maj 2026, 19:53

"Qeverisja e Ramës si një sistem kolonial", Berisha: Bonusi i pensioneve sa “dy kilogramë domate”!

Shkruar nga Pamfleti
"Qeverisja e Ramës si një sistem kolonial", Berisha: Bonusi
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi qeverisjen e kryeministrit Edi Rama si “një sistem kolonial”, ndërsa akuzoi mazhorancën për shpërndarje të padrejtë të të ardhurave dhe keqmenaxhim të fondeve publike.

Deklaratat u bënë gjatë një tryeze për pensionistët, të organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në Partinë Demokratike.

Në fjalën e tij, Berisha kritikoi bonusin për pensionistët, duke thënë se vlera e tij është e papërfillshme përballë kostos së jetesës.

“Një muaj më parë tha ‘Eureka’, Edi Rama. E çfarë ishte Eureka? Ishte Eureka 8 euro. Ajo që thotë ai bonus për pensionin, 8 euro. 8 euro, dy kilogramë domate”, u shpreh Berisha.

Sipas liderit të opozitës, pensionistët janë lënë në kushte të vështira ekonomike dhe nuk përballojnë dot as shpenzimet bazë, përfshirë ilaçet.

Berisha deklaroi se qeveria flet për rritje ekonomike, ndërsa sipas tij shpërndarja e të ardhurave mbetet “barbare”. Ai pretendoi se një pjesë shumë e vogël e qytetarëve zotërojnë shumicën e kursimeve bankare në vend.

“93% e kursimeve në bankat e Shqipërisë sot i kanë 12 mijë shqiptarë”, tha ai.

Kreu i PD-së krahasoi qeverisjen me sistemet koloniale, duke pretenduar se në Shqipëri po ndodh “plaçkitje e pasurive publike”. Ai përmendi kostot e larta të infrastrukturës rrugore, çështjen e inceneratorëve dhe projektin e impiantit të ujërave të zeza në Tiranë si shembuj të keqmenaxhimit dhe korrupsionit.

Sipas Berishës, fondet publike dhe pronat shtetërore po shpërdorohen në favor të grupeve të lidhura me pushtetin.

Deklaratat e tij vijnë në një periudhë debatesh politike mbi nivelin e pensioneve, rritjen e çmimeve dhe politikat sociale të qeverisë.

Sali Berisha: Shpërblimi, ky ishte shpërblimi që morën nga kjo qeveri ata që ndërtuan Shqipërinë, që sakrifikuan, që derdhën lumenj djersë, që mbajtën arsimin, mbajtën shëndetësinë, që ndërtuan, që, të gjitha me radhë. Dhe papritur e pakujtuar e gjejnë veten të përjashtuar në një mënyrë të egër nga shoqëria, të keqshpërblyer në shkallën më ekstreme. Një muaj më parë tha Eureka, Edi Rama. E çfarë ishte Eureka? Ishte Eureka 8 euro. Ajo që thotë ai, bonus për pensionin, 8 euro. 8 euro, dy kilogram domate. 8 euro, 13 vite më parë mund të ishin 20 kilogram domate. Të mos s'flasim për ilaçet, s'i blejnë dot. Jo. Rrinë në mëshirën e sëmundjeve. Ky është krim. Absolutisht. Ndërkohë i bie me krenari gjoksit se ka buxhetin 8 miliardë. 8 miliardë. Ndërkohë, flet për rritje ekonomike, 3%, 4%. Është një sistem kolonial, sepse rritja ekonomike aty është po, nuk po, nuk po ndalem të analizoj strukturë, po shpërndarja është koloniale. Shpërndarja e të ardhurave është, është barbari.

Po në qoftë se ti nuk mendon për qytetarët si përfitues të parë të atyre të ardhurave, si detyrim absolut që ata të jenë të parët që përfitojnë. Është krijuar një, një polaritet i jashtëzakonshëm. I jashtëzakonshëm. 93% e kursimeve në bankat e Shqipërisë, sot i kanë 12.000 shqiptarë. Nuk ka vend si ky. Pastaj, e gjitha kjo, pse ky është një sistem i ngjashëm, pse ngjason ky kjo qeverisje e Edi Ramës me një sistem kolonial? Ngjason, çfarë ishin sistemet koloniale në fakt? Plaçkitje. Ato ishin plaçkitje e pasurive publike të vendeve që kolonizoheshin. Po ç'po ndodh në Shqipëri? Plaçkitje. Po ndodh plaçkitje. Fondet publike po plaçkiten në mënyrë të paimagjinueshme. 20 milionë euro kilometri i autostradës në fushë.

4 milionë euro kilometri në autostradë, Janinë -Kakavijë, në anën tjetër të kufirit, 26 metra e gjerë. Ç'ka ndodh? Plaçkitje, plaçkitje, plaçkitje të pafundme. Nuk ka komb të plaçkitur si ky. Plaçkitja ka arritur në ekstreme.
Objekt publik, punë publike 130 milionë euro, inceneratori nuk ekziston një tullë dhe eurot janë vjedhur. Janë vjedhur. Janë vjedhur 120 milionë dollarë tek impianti i ujërave të zeza të Tiranës, dhuratë bujare e qeverisë japoneze. U zhduk. Nuk ka patur njerëz të vjedhin në këtë mënyrë. Plaçkitje. Plaçkitje, plaçkitje e pasurive publike. Miliona, miliona metra katrorë tokë publike në vend që t'u kthehen pronarëve, të kompensohen pronarët legjitim, u jepen baronëve të drogës, familjarëve të qeveritarëve. Plaçkitje.

sali berisha

Lini një Përgjigje