Një tryezë pa Ukrainën, një paqe pa drejtësi dhe një precedent që mund të na djegë edhe ne...
Nesër, në një bazë ushtarake të ngrirë në Alaskë, Donald Trump dhe Vladimir Putin do të luajnë teatrin më të rrezikshëm të shekullit të 21-të.
Do të ulen në një tryezë, larg zhurmës së predhave, larg fëmijëve të vdekur në Harkiv, larg raketave që bien mbi Zaporizhia, larg Zelenskyyt që nuk është ftuar, por është në qendër të temës.
Samiti në Anchorage nuk është për paqe. Është për dominim. Është për të shkruar një faqe të re në manualin e diplomacisë ku fuqitë e mëdha ndajnë botën pa pyetur viktimat.
Trump do të vijë si “paqebërës”, por në fakt është duke ecur drejt një marrëveshjeje që e kthen Ukrainën në një zonë tampon mes NATO-s dhe Rusisë.
Putin, ndërkohë, do të vijë me duart plot dokumente, por me mendjen te hartat ushtarake. Ai ka shtuar trupat, ka intensifikuar ofensivën, dhe ndërsa bota merret me detajet e takimit, Rusia është duke e ndryshuar kufirin me tanke dhe drone.
Ky takim nuk është për të ndalur luftën, është për të ndalur procesin e rrënimit të Perëndimit. Putini nuk kërkon paqe, por njohje. Ai kërkon që SHBA, përmes Trump-it, t’i thotë botës: “Moska ka të drejtë të rishkruajë historinë”.
Në këtë tavolinë nuk ka Ukrainë, dhe kjo është pika më e rrezikshme. Një marrëveshje për Ukrainën pa ukrainasit, është po aq e pavlefshme sa një traktat i nënshkruar me pushkën te koka.
Dhe për Ballkanin kjo do të thotë vetëm një gjë: precedent.
Nëse territorët mund të negociohen në tavolinë pa praninë e atyre që preken, atëherë Kosova, Bosnja, madje dhe vetë Shqipëria, duhet të fillojnë të mendojnë me seriozitet për garancitë e tyre reale.
Nesër në Alaska do të ndodhë shumë më tepër sesa një takim mes dy presidentësh.
Do të vendoset nëse bota do të jetë vend ku fuqia përkthen të drejtën, apo ku e drejta ende qëndron mbi fuqinë.
Nëse Ukraina lihet jashtë, atëherë çdo vend i vogël duhet të kuptojë se nesër mund të jetë vetë ai që lihet në derë, ndërsa të mëdhenjtë bëjnë marrëveshjet e tyre.
Shqipëria nuk e ka luksin të heshtë. Nesër është dita për të folur, për të ndihmuar Kievin, për të zgjuar Europën dhe për të përkujtuar SHBA-në se aleancat nuk janë çështje marketingu politik.
Nesër në Alaska, do të matet jo vetëm karakteri i një presidenti amerikan, por qëndrueshmëria morale e gjithë Perëndimit. Dhe nëse Perëndimi zgjedh të mbyllë sytë për hir të “stabilitetit”, atëherë është koha që ne, të vegjlit, të mësojmë të mbrohemi vetë. Sepse historia nuk e pret drejtësinë, ajo e harron atë kur ajo hesht./Pamfleti
Lini një Përgjigje