Jashtë Parlamentit, ish kryeministri Sali Berisha tha se protesta kombëtare e thirrur nga opozita për ditën e nesërme do të jetë madhëshore.
Berisha ka deklaruar se protesta e ditës së nesërme nuk ka lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën dhe logon e PD-së.
“Nuk kam asnjëlloj arsyeje që unë të ndërhyj në vendimin e gjykatës. Nuk ka gjykatës që mund të pranojë palë, përveç Blerina Muçit. Nesër protesta nuk ka lidhje fare me vendimin e gjykatës. Unë nuk mund të paragjykoj një vendim i cili nuk ekziston. Nuk ka asnjë bazë të vetme ligjore për të shpallur palë atë që nuk është palë.”, tha ai.
Berisha tha gjithashtu se kryeministri Edi Rama është përfshirë në korrupsion me ish-shefin e FBI-së, Charles McGonigal dhe ka bashkëpunuar me oligarkun rus Olev Deripaska.
“Ky njeri nuk ndjen përgjegjësinë më minimale ndaj qytetarëve të Shqipërisë për autorësinë që ka për superskandalin e shekullit. Me McGonigal dhe Deripaskën, është te tre personat më të urryer dhe më të përfolur.
Foli sikur nuk ka ndodhur asgjë, deri në leximin e aktakuzën sipas tij, duke arritur të thotë se ajo që thotë drejtësia amerikane nuk është e vërtetë.
Nuk duhet hetuar vetëm veprimtaria e tyre në Tiranë. Janë kryer krime të tjera, si gjobitjet e shumta të bizneseve, që ngurojnë të tregojnë. Por, nëse do të ketë një komision hetimor që do t’i mbrojë, jam i bindur që ai do t’i thotë.
Në Tiranë, Deripaska deri në vitin 2022, ka marrë pagesa për të gjitha veprimtaritë e tij. Faktori Deripaska është prezent në Shqipëri, ka marrë para nga taksapaguesit shqiptar deri në fund të vitit 2022, kur u vendos embargo për naftën ruse.”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje