Rreth dy muaj para zgjedhjeve parlamentare, OSBE/ODIHR ka zgjedhur diplomatin italian për të udhëhequr ekipin e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve.
Zannier dhe stafi i tij do të zhvillojnë takimet e para në 1 prill, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më tej do të ketë takime me aktorët politikë në vend, në kuadrin e njohjes së klimës parazgjedhore.
Ende nuk dihet se sa vëzhgues ndërkombëtarë pritet të monitorojnë procesin zgjedhor të 11 majit, por mësohet se opozita do të kërkojë një numër të lartë vëzhguesish.
Zgjedhjet në Shqipëri kontestohen vazhdimisht nga palët politike, ndërsa në raportet ndërkombëtare janë evidentuar jo pak problematika që nisin nga përdorimi i administratës shtetërore në funksion të partisë qeverisëse, te fenomenet e shit-blerjes së votave dhe deri te votimet familjare.
OSBE/ODIHR përgatit disa raporte lidhur me zgjedhjet, që nisin me klimën parazgjedhore, për të vijuar më pas me ditën e zgjedhjeve dhe më pas raportin përfundimtar.
Po kush është ambasadori që do të çertifikojë zgjedhjet e 11 majit?
Ambasadori Lamberto Zannier mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së më 1 korrik 2011. Në korrik 2014, ai nisi mandatin e tij të dytë trevjeçar.
Zannier iu bashkua Ministrisë së Jashtme italiane si diplomat karriere në vitin 1978. Nga qershori 2008 deri në qershor 2011 ai pati postin si Përfaqësues Special i OKB-së për Kosovën dhe Shef i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Nga viti 2006 deri në vitin 2008 ai ishte Koordinator për CFSP dhe ESDP (tani CSDP) në Ministrinë e Punëve të Jashtme Italiane, duke u marrë ndër të tjera me çështjet e politikës së jashtme të BE-së dhe me pjesëmarrjen e Italisë në operacionet e BE-së, civile dhe ushtarake.
Nga viti 2002 deri në vitin 2006, ai ishte Drejtor i Qendrës për Parandalimin e Konflikteve të OSBE-së, i fokusuar në çështjet politiko-ushtarake, si dhe menaxhimin e krizave dhe përgjegjës për menaxhimin e operacioneve në terren të OSBE-së.
Pozicionet e mëparshme të larta përfshijnë Përfaqësues të Italisë në Këshillin Ekzekutiv të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë (2000-2002), Kryetar i negociatave për përshtatjen e Traktatit për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë (1998-1999), Shef i NATO-s për Kontrollin e Armëve dhe Disarma Operative. (1991-1997).
Më parë, ai ka shërbyer në Romë, Abu Dhabi dhe Vjenë, kryesisht i specializuar në çështjet shumëpalëshe dhe të sigurisë. Ai është autor i disa publikimeve mbi çështjet e sigurisë, parandalimit të konflikteve dhe menaxhimit të krizave.
Ai ka qenë anëtar i Bordit të Administratorëve të Akademisë së OSCE-së në Bishkek, Bordit Këshillimor të Qendrës së Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF) dhe Bordit të Drejtorëve të BE-së ISS. Aktualisht është President i Qendrës për Negocim dhe Ndërmjetësim Ndërkombëtar të Universitetit të Gorizias, Itali.
Zannier është diplomuar për juridik, gjithashtu ai ka një diplomë nderi në “Shkenca Ndërkombëtare dhe Diplomatike” nga Universiteti i Triestes, Itali.
Lini një Përgjigje