TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Mars 2025, 10:50

Pazari Rama-Berisha për Këshillin Drejtues të RTSH; si po i hapet rruga mikeshës së Linda Ramës për drejtoreshë

Shkruar nga Pamfleti

Pazari Rama-Berisha për Këshillin Drejtues të RTSH; si po i hapet

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha ka thelluar bashkëpunimin mes tyre përmes një skenar të mirëorganizuar politik, duke vënë kështu në kontroll total median publike. Pasi mazhoranca dhe opozita arritën një pakt të fshehtë, Këshilli i ri Drejtues i RTSH u votua dje në Parlament me emra që vijnë kryesisht nga rrethet e pushtetit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë politik. Kryetar i tij u zgjodh Fatjon Hoxhalli, një njeri i afër i qeverisë, me eksperiencë pranë Niko Peleshit dhe grupit parlamentar socialist. Ndërkohë që pjesa më e madhe e anëtarëve të rinj, si Petrit Beci, Rajmonda Bulku, Osman Mula, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Enio Civici, Alket Braho, Lorenc Vangjeli, Pano Xhixho dhe Zamira Kita, vijnë nga rrethet e politikës, duke e kthyer institucionin që duhet të ishte i pavarur, në një mekanizëm kontrolli të plotë nga pushteti.

Por burime të sigurta konfirmojnë se gara për drejtorin e ri të RTSH tashmë ka një fituese të paracaktuar, e cila është gazetarja Eni Vasili, e njohur për afërsinë e saj me Linda Ramën, bashkëshorten e kryeministrit. Skema është qartë dhe u zbulua pas dorëheqjes së papritur të Iris Luarasit, e cila u largua pa sqarime nga gara, ndërkohë që Vasili hyri menjëherë si kandidate, duke shtruar rrugën për një emërim të dirigjuar nga lart. Mirëpo vendimi i Këshillit Drejtues për të anuluar skualifikimin e tetë kandidatëve, përshirë edhe Vasilin, pas presioneve politike, ka vulosur pazarin Rama-Berisha për kapjen e RTSH. Ky akt skandaloz tregon se pavarësia e medias publike është një farsë dhe se RTSH është shndërruar në një televizion partiak që do të transmetojë vetëm zëra të pushtetit.

Konkretisht Fatjon Hoxhalli, 38 vjeç, me një përvojë pune prej gati një dekade si këshilltar i Niko Peleshit në detyrat e tij në ekzekutiv dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, nga e hëna e djeshme do të jetë kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, një institucion që ligjërisht duhet të jetë i pavarur nga politika. Bashkë me Hoxhallin, pjesa më e madhe e anëtarëve që u votuan të hënën pas një konsensusi politik mes mazhorancës dhe opozitës, vijnë nga angazhime të drejtpërdrejta ose të afërta me politikën. Në seancën plenare u votuan si anëtarët e rinj të këtij institucioni Petrit Beci, Rajmonda Bulku, Osman Mula, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Enio Civici, Alket Braho, Lorenc Vangjeli, Pano Xhixho dhe Zamira Kita. Kujtojmë se kriteret për t’u zgjedhur anëtarë janë të hapura për çdo person që ka përvojë pune jo më pak se 10 vjet në fushat e medias në përgjithësi, teknologjisë së medias, artit, kulturës, ekonomisë, drejtësisë, etj, duke ndaluar kandidimin vetëm për anëtarë të partive e shoqatave politike dhe personat me konflikt interesi me detyrën.

Reagimet

Ndërkohë Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagoi duke shprehur zhgënjim për votimin në Kuvend dhe e cilësoi votimin mbizotërim të interesat e ngushta partiake mbi interesin publik. “Anëtarët e Komisionit të Medias dhe më pas të Parlamentit i mohuan sot publikut mundësinë që RTSH të jetë një institucion dinjitoz dhe i pandikuar politikisht”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate. Përveç Hoxhallit, në listën e anëtarëve ka dhe emra të tjerë me lidhje politike. “Anëtarë të këshillit u zgjodhën dhe zëdhënësi i zëvendëskryetarit të Parlamentit Blendi Çuçi; këshilltari i jashtëm i Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, ish-zëvendësministri i Bujqësisë i Partisë Socialiste, një anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe një ish-deputete e PD-së”, thuhet në deklaratën e AGSH-së.

Procedurat për këshillin e ri u hapën pasi Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mediat vendosi të shkrijë këshillin paraardhës, duke e akuzuar për shkelje ligjore dhe konflikt interesi në procedurat e nisura për zgjedhjen e drejtorit të ri të RTSH-së. Pas miratimit në Kuvend, ky këshill do të zgjedhë drejtorin e ri të RTSH-së, një vend i mbetur bosh që pas dorëheqjes së drejtorit të mëparshëm i RTSH-së, Alfred Peza, zgjedhja e të cilit gjithashtu u kontestua për shkak të karrierës së tij të gjatë politike pranë Partisë Socialiste. Peza u përball me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë një viti që mbajti detyrën. Transmetuesi publik është në teori një institucion politikisht i pavarur, por bordi drejtues zgjidhet nga parlamenti me një formulë ku dy partitë kryesore përzgjedhin kandidatët e tyre të preferuar. /Sot

Lini një Përgjigje