Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin, pas protestës së djeshme të opozitës.
Ky njoftim i policisë erdhi pas goditjeve me bomba molotov ndaj institucioneve publike gjatë protestës të së hënës, ku u përfshinë edhe disa të mitur, tre prej të cilëve janë proceduar në gjendje të lirë.
Nga përleshjet dhe incidentet gjatë protestës, 10 efektivë të policisë mbetën të plagosur, ndërkohë që të lënduar mbetën dhe tre protestues.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, reagoi duke theksuar se një grup individësh kishin kaluar kufijtë e ligjit me veprimet e tyre të dënueshme, duke rrezikuar sigurinë publike.
Nga ana tjetër opozita deklaroi se protesta e 7 tetorit është vetëm fillimi i mosbindjes civile e cila do të shtrihet në të gjitha qytetet deri në arritjen e qeverisë teknike.
'Po kështu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” (neni 262 i Kodit Penal, paragrafi i parë), për shtetasit: F. N., sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike; G. B., kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike.', njofton policia.
Ditën e djeshme, protestuesit fillimisht janë grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Më pas, ata janë zhvendosur te selia e Partisë Socialiste, godina e Ministrisë së Brendshme, godina e Bashkisë Tiranë, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjatë rrugëtimit, protestuesit kanë shkatërruar pronën private dhe publike, kanë hedhur lëndë djegëse shpërthyese dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike. Gjithashtu kanë dëmtuar tabelat e reklamave dhe kanë djegur kazanët e mbeturinave.
Pas veprimeve të dhunshme të ndodhura dje në protestën tre orëshe të opozitës, është vënë në pranga një person dhe janë shpallur në kërkim 9 të tjerë. Ndërkohë janë proceduar në gjendje të lirë tre të tjerë.
Lini një Përgjigje