Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha thotë se Shqipëria dhe Greqia do shkojnë në gjykata ndërkombëtare, lidhur me një marrëveshje për detin, ndonëse nuk dha datë.
Në një konferencë për mediat, Hoxha deklaroi se sot, të dyja vendet gëzojnë marrëdhëniet më të mira.
“Gjykata ka vendosur dhe kjo nuk diskutohet. Pas asaj, është bërë një punë e jashtëzakonshme nga paraardhësit e mi. Sot ndodhemi në marrëdhëniet më të mira me Greqinë. Nëse hapim kapitujt, kemi dakordësinë e 27 vendeve, edhe të Greqisë. Kjo reflekton cilësinë e marrëdhënieve me Greqinë. Kam gjetur gatishmërinë për t’i çuar gjërat përpara. Demokracia nuk ka kufij, nuk ka limite. Për këto çështje, ne do të vazhdojmë. Çështjet më të vështira, si marrëveshja e detit, së pari me Greqinë, ne kemi rënë dakord. Do shkojmë në gjykata ndërkombëtare. Për këtë kemi rënë dakord në parim, nuk mund të them një datë. Janë një sërë çështjesh që marrin kohën e tyre”, theksoi ai.
Hoxha gjithashtu foli për lidhjet e kryeministri Edi Rama me Serbinë.
“Kryeministri nuk ka asnjë aleancë, as me Serbinë, as me askënd. Ne kemi interesa dhe interesat mbrohen duke dialoguar dhe me ata që jemi diametralisht të kundërt, siç është qëndrimi ynë për Kosovën, krahasuar me atë që ka Serbia. Në diplomaci ne negiociojmë, ulemi. Kur diplomacia vdes kanë hyrë mjete të tjera. Dhe fakti që bashkëpunojmë në nivel rajonal ku të gjitha palët shohin atë që u intereson, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Natyrisht do të flasim me serbët. Nëse biem dakord aq më mirë, nëse jo do të takohemi sërish për të tentuar. Ka vetëm interesa që na detyrojnë të jemi sa më të qartë e bashkëpunues për të mbrojtur interesat tona.”, tha ai.
Lini një Përgjigje