Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”. Ligji u miratua me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime.
Tre deputetët që abstenuan ishin socialistët Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.
Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi për tre orë pas mesnate të premten dhe më pas miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Qeveria deklaroi se me këtë projektligj synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së cannabis-it, të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.
Autoritetet besojnë se përmes një procesi të licensuar do të rritet ekonomia e vendit, si dhe kontrolli i subjekteve, që do të merren me kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit, duke krijuar një institucion të veçantë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi se projektligji parashikon krijimin e një agjencie për kontrollin, regjistrimin e prodhimit, dhënien e licensave për eksportin përmes një komisioni të posaçëm, si dhe mbikëqyrjen nga një njësi e specializuar.
Lini një Përgjigje