
Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, i propozon Kuvendit ndryshime në Kodin e Punës. Demokrati kërkon krijimin e kushteve për të gjithë besimtarët myslimanë që të mundësohet falja Namazit në ambientet e punës, si në institucionet private, ashtu edhe ato publike.
Më anë të një postim në rrjetin social “Facebook”, Gështenja propozon gjithashtu që çdo ditë të Premte (e xhuma) çdo besimtari mysliman t’i mundësohet pushim i paguar 2 orë në drekë, që t’i jepet mundësi që të falet në Xhami.
“Dje në Parlament propozova dy ndryshime në Kodin e Punës, për të fituar një të drejtë të mohuar ndaj besimtarëve të fesë islame për praktikimin e lirë fetar, edhe pse kjo e drejtë garantohet me ligj si një e drejtë kushtetuese, por bie ndesh me Kodin e Punës dhe i penalizon besimtarët e fesë islame në rastin konkret, të cilët janë komuniteti fetar më i prekur për shkak të dispozitave specifike obligative të kësaj feje!
Dy janë ndryshimet kryesore të kërkuara: -Krijimi i kushteve për të gjithë besimtarët që të mundësohet falja Namazit në ambientet e punës si në institucionet private ashtu edhe ato publike.
-Krijimi i mundësisë së faljes së Namazit për të gjithë besimtarët çdo ditë të Premte (Xhuma), duke e bërë pushim 2 orë në drekë (por të pagueshme)", shkruan ai.
Lini një Përgjigje