
Këshilli i Ministrave ende nuk ka kthyer përgjigje për projektligjin e propozuar nga Erion Braçe “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në bujqësi”.
Teksa sot (11 mars) pati debate të forta në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku nuk munguan tonet e larta dhe reagimin e fortë të deputetit nismëtar të propozimit, socialistit Erion Braçe.
Braçe tha se “kjo ishte puna e tij e fundit për sesionin”, teksa ka shkaktuar edhe habi tek kolegët, duke qenë se politika është përfshirë edhe nga debati për listat e deputetëve dhe zgjedhjet.
Florian Semani, zv/ministri i Financave pranoi sot gjatë diskutimeve në Komision se Ministria e Financave është në dijeni të problemeve që hasen në terren.
“Por duke qenë se ka disa shtojca të caktuara, do të kemi një qëndrim shumë shpejt dhe më pas të japim qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Financave”, tha ai.
Enkeleda Kuçi, drejtore e politikave tatimore u shpreh:
“E vlerësojmë shumë iniciativën, siç kemi thënë edhe më herët, patjetër që jemi të angazhuar për të shikuar në tërësi tatimin e vlerës së shtuar për sektorin e bujqësisë. Ligji që kemi në fuqi është në përputhje të pjesshme me BE, një pjesë e mirë e dispozitave janë të harmonizuara plotësisht. Pikërisht për shkak të rëndësisë që ka ky sektor ne kemi kërkuar asistencën e BE-së, për qëllime të trajtimit sa më të mirë për një skemë të përshtatshme për sektorin e bujqësisë. Kërkesë që është pranuar nga TAIEX, në prill vjen misioni që të jemi në përputhje me BE-në”.
Deputetja Tabaku e cilësoi si tallje, duke kritikuar qeverinë
“Më duket tallje, se kemi 6 vite që merremi me këtë çështje”, tha ajo.
Kurse deputeti socialist Sinaj tha se duhet të veprohet më shpejt.
“Më duket e kotë që na thoni që po kërkoni leje nga BE. Ne e kemi ekonominë tonën, ta vendosëm bujqësinë në barazi me të tjetër. Të eksportojmë dhe ne jo vetëm të importojmë. Na thoni si funksionojnë këto taksa në vendet e tjera të rajonit. Pse duhet të pyesim të tjerët ne kur e dimë vetë hallin tonë”, u shpreh ligjvënësi.
“Greqia e kompenson TVSH-në me 6%, në Kosovë me 8%”, tha Enkeleda Kuçi.
Kurse deputeti socialist Erion Braçe, që është njëkohësisht edhe nismëtar i këtij propozimi, me tone të larta kritikoi institucionin financiar për vonesën dhe për moskushtimin e vëmendjes së kësaj nisme me shumë rëndësi për bujqësinë.
Pjesë nga debatet në Komision:
Braçe: Çfarë skeme kompensimi? Na e thoni çfarë skemë kompensimi. A e keni lexuar ju nismën e propozuar?
Kuçi: Kjo skemë siç është propozuar, nuk aplikohet në asnjë vend!
Brace: Pse, si është në vendet e huaja. Kjo është si kudo në vendet e botës, që blen me 20% dhe do të shesësh me 20%. Turp i madh, se keni lexuar fare nismën
Braçe: Mbase këto janë gjërat e fundit në këtë komision. Qeveria duhet të kuptojë se institucioni që cakton taksat është Kuvendi i republikës dhe jo qeveria. Qeveria duhet ta kuptojë shumë mirë këtë. E dyta është pavarësia e Kuvendit për të vendosur në interes të atyre njerëzve që votojnë për deputetët e Kuvendit. Pavarësia e Kuvendit nuk mund të cenohet nga asnjë ministër, dhe aq më tepër të rrëzohet brutalisht me vota kundër. Është e turpshme që ministri i Financave nuk vjen të përballet me ne që flasim për një çështje që cenon 45% të qytetarëve. Kjo është një tallje skandaloze!
Nuk lejoj askënd të vij këtu që të tallet me punën e deputetëve. Ky shqetësim është krijuar nga ministri i Financave dhe është bërë në mënyrën më banale të mundshme, se ministri i asaj kohe (Arben Ahmetaj) kishte inat Braçen, se kishte frikë se unë bëhesha ministër i Bujqësisë. Kjo tallje që ndodh këtu është vetëm se këtë e kam propozuar unë, sepse po ta kishte propozuar ministri, do ishte miratuar direkt.
Braçe: Meqë është puna ime e fundit në Kuvend, unë do jem shumë i kënaqur që kjo do të votohet kundër dhe do ja jap votën ministrit të Financave që ta shohë se si votohet kundër.
Shalsi: Puna e fundit për këtë sesion?
Braçe: Po, po, patjetër për këtë sesion, po, po, patjetër...!
Lini një Përgjigje