TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Mars 2025, 09:29

Nisin hatërmbetjet për listat në radhët e PS, Petro Koçi tërhiqet nga gara për deputet: Më vendosën në kushte të pabarabarta!

Shkruar nga Pamfleti

Nisin hatërmbetjet për listat në radhët e PS, Petro

Sipas Koçit e gjithë kjo skemë për spostimin e tij u bë në mënyrë jo transparente.

Deputeti socialist Petro Koçi është tërhequr nga gara për deputet për zgjedhjet e 11 majit. Hapur i hatërmbetur nga situata, Koçi deklaroi se ishte në një garë të pabarabartë krahasuar me kolegët e tij, pasi nuk kishte një zonë elektorale dhe për këtë arsye kishte vendosur të tërhiqej.

Unë nuk do të jem në listën përfaqësuese të kandidaturave për deputetë, jo për ndonjë paburrëri politike, frike dështimi personal apo braktisje të shpirtit të solidaritetit, por sepse ndryshe nga të gjithë ju jam i vetmi që nuk kam shansin e startit në kushte të barabarta sepse nuk kam në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale”, shkruan Koçi në postimin e tij.

Deputeti socialist shprehu pakënaqësi për spostimin e tij nga zona e Kombinatit dhe zëvendësimin e tij me Blendi Gonxhen. Sipas Koçit e gjithë kjo skemë për spostimin e tij u bë në mënyrë jo transparente. Madje shkoi më tej duke thënë se me urdhrin  dhe intrigën e dikujt brenda PS-së, u ndërpre si me thike përfshirja e tij në aktivitetin organizativ të partisë.

Caktimi i Blendi Gonxhes si përgjegjës politik në zonë ishte një zgjedhje e mençur dhe e qëlluar sepse problemet madhore të Kombinatit si pasojat e tërmetit, procesi i rindërtimit apo impakti i projekteve madhore të unazës apo të Lanës kërkonin një fuqi ekzekutive të dedikuar dhe kompetente për tua koordinuar zgjidhjet. Unë e vlerësoj shume punën e tij elektorale dhe besoj se Kombinati do jetë sërish i pari në garën zgjedhore.

Megjithatë ky ndryshim në përgjegjësinë drejtuese solli një spostim jo transparent dhe mos përcaktim të qartë të funksionit tim në zonë. U ndërpre si me thike përfshirja ime në aktivitetin organizativ të partisë duke mos u lajmëruar kurrë për kalendarin e përditshëm të mbledhjeve dhe takimeve, përjashto rastet kur ky kalendar varej nga selia qendrore dhe lajmërimet mbërrinin nëpërmjet rrjetit në grupin Whatsapp të deputetëve. Nuk di nëse kjo situate ishte e orientuar apo ishte pasoje e ndonjë intrige shpirt vogël. Megjithatë e fal çdokënd që me apo pa dashje ka gisht ne këtë mekat, i cili mbetet i parëndësishëm për interesa përtej meje”, shtoi më tej Koçi.

Në fund ai bëri dhe një thirrje për të gjithë kandidatët e PS-së për deputet, të cilët kanë probleme me drejtësinë që të tërhiqen nga gara.

E shfrytëzoj këtë komunikim publik për ti bërë thirrje çdo kolegu, deputet ose jo, që ka probleme hetimore serioze me SPAK të mos kandidojë në këto zgjedhje. Kam besim se çdo person të cilit do i ndërpritet procesi hetimor apo do të mund të marrë pafajësinë më vonë, PS do i japë meritat e duhura në vijim”, përfundoi ai, teksa nuk la pa falënderuar Ramën për përfshirjen tij në poste të larta politike.

Postimi i plotë i Petro Koçit:

E dashur Ogerta, të dashur kolegë deputetë socialistë të Tiranës tonë, E kam detyrim automatik moral, politik dhe shoqëror t’ju bëj të ditur përcaktimin e qëndrimit tim në lidhje me procesin e emërimit të kandidaturave të partisë tonë për deputetë; Unë do punoj me sa me ha krahu dhe kudo me shpien këmbët për fitoren e PS në zgjedhjet e 11 Majit. Fatmirësisht eci dhe ngjis shkallet më shpejt dhe pa mu marrë fryma në krahasim me dhjetëra të tjerë që janë në moshë më të rë politike apo biologjike.

Unë nuk do të jem në listën përfaqësuese të kandidaturave për deputetë, jo për ndonjë paburrëri politike, frike dështimi personal apo braktisje të shpirtit të solidaritetit, por sepse ndryshe nga të gjithë ju jam i vetmi që nuk kam shansin e startit në kushte të barabarta sepse nuk kam në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale.

Pas një fushate jotregetare në zgjedhjet e fundit vendore në kryeqytet bashke me strukturën organizative të zonës e nxorëm Kombinatin të parin, me një rezultat që e çoi stekën elektorale në 60% për PS.

Caktimi i Blendi Gonxhes si përgjegjës politik në zonë ishte një zgjedhje e mençur dhe e qëlluar sepse problemet madhore të Kombinatit si pasojat e tërmetit, procesi i rindërtimit apo impakti i projekteve madhore të unazës apo të Lanës kërkonin një fuqi ekzekutive të dedikuar dhe kompetente për tua koordinuar zgjidhjet. Unë e vlerësoj shume punën e tij elektorale dhe besoj se Kombinati do jetë sërish i pari në garën zgjedhore.

Megjithatë ky ndryshim në përgjegjësinë drejtuese solli një spostim jo transparent dhe mos përcaktim të qartë të funksionit tim në zonë. U ndërpre si me thike përfshirja ime në aktivitetin organizativ të partisë duke mos u lajmëruar kurrë për kalendarin e përditshëm të mbledhjeve dhe takimeve, përjashto rastet kur ky kalendar varej nga selia qendrore dhe lajmërimet mbërrinin nëpërmjet rrjetit në grupin Whatsapp të deputetëve. Nuk di nëse kjo situate ishte e orientuar apo ishte pasoje e ndonjë intrige shpirt vogël. Megjithatë e fal çdokënd që me apo pa dashje ka gisht ne këtë mekat, i cili mbetet i parëndësishëm për interesa përtej meje.

I mbetem mirënjohës Edi Ramës për ri përfshirjen time në përgjegjësi të larta politike që mund të mos ndodhte pa tolerancën e tij pas përplasjeve të vitit 2008, një përfshirje që filloi me mirëpritjen në mitingjet kundër pushtetit të Berishës pas zgjedhjeve të 2009-ës dhe vazhdoi me bashkëpunimin e ngushtë në luftën kundër korrupsionit në protestën e 21 Janarit 2011, me zgjedhjet e vjedhura të Tiranës të atij viti, zgjedhjet e 2013-ës e pastaj kulmoi me detyrat e larta të besuara të zëvendësministrit të Mbrojtjes e të deputetit në zgjedhjet e 2021. Uroj që këtë besim ta kem shlyer në lartësinë e duhur. Jua them këto për të dëshmuar se nuk jam nga ata që mendojnë se PS u ka borxhe. Përkundrazi!

E shfrytëzoj ketë komunikim publik për ti bërë thirrje çdo kolegu, deputet ose jo, që ka probleme hetimore serioze me SPAK të mos kandidojë në këto zgjedhje. Kam besim se çdo person të cilit do i ndërpritet procesi hetimor apo do të mund të marre pafajësinë më vonë, PS do i japë meritat e duhura në vijim.

Këto zgjedhje janë me rendësi historike kombëtare sidomos në 2 aspekte ku më i rëndësishmi është integrimi europian i cili do të ndërpritej dhe do të shtyhej nëse Koalicioni i Krimit Madhështor do kishte shansin të fitonte zgjedhjet dhe po aq i rëndësishëm është fati i reformës në drejtësi. Edhe se po e paguajmë me lëkurën tonë drejtësia e re ka garante vetëm PS -në tonë. E theksoj këtë që të zëvendësojmë drejtuesit e fushatës të respektojnë verbërisht ligjin në mënyrë që të mos japim asnjë shans gojëve të madhështorëve të krimeve madhore të tranzicionit politik.

Me respekt dhe në gatishmëri për punët tona elektorale. Petro.

Lini një Përgjigje