TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2024, 19:14

“Le Monde”: Rama në Athinë, mes tensioneve dhe përplasjeve për nacionalistin Beleri (I akuzuar për masakrën e Peshkëpisë)

Shkruar nga Pamfleti
“Le Monde”: Rama në Athinë, mes tensioneve dhe
Rama-Beleri

Gazeta franceze “Le Monde” i ka kushtuar një artikull vizitës së Ramës nesër në Athinë. Teksa komenton situatën mes dy vendeve, përmend dhe të shkuarën e errët të Fredi Belerit, i cili akuzohet si i përfshirë në masakrën e Peshkëpisë.

Të dielën, më 12 maj, kryeministri shqiptar Edi Rama nis një tur europian në Athinë, me synim diasporën shqiptare. Në funksion të zgjedhjeve të majit 2025, zoti Rama dëshiron të vendosë votim elektronik për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Por vizita e kryeministrit, ndërkohë që mosmarrëveshjet janë ndezur mes Athinës dhe Tiranës, nga pala greke nuk shihet me sy të mirë. “Në situatën aktuale dhe duke marrë parasysh zgjedhjet evropiane, kjo vizitë më duket mjaft e papërshtatshme”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis të mërkurën më 8 maj në një intervistë për gazetën "Proto Thema".

Për shtypin grek, kreu i qeverisë shqiptare në fakt do të tentojë të ndikojë në votën e dhjetëra mijëra shqiptarëve pjesëmarrës në zgjedhjet europiane të 9 qershorit dhe t'i inkurajojë ata që të mos mbështesin partinë konservatore në pushtet, Demokracinë e Re. E cila ka propozuar kandidat për zgjedhjet europiane Fredi Belerin, një kryebashkiak greko-shqiptar i dënuar në Shqipëri me burg për mashtrim zgjedhor. Që nga vitet 1990, rreth 700,000 shqiptarë janë vendosur në Greqi, duke përfaqësuar 60% të popullsisë së huaj në Greqi.

Në vitin 2023, dy ditë para zgjedhjeve bashkiake në qytetin e Himarës (2800 banorë), në jug të Shqipërisë, arrestohet Fredi Beleri, kundërshtar i kryebashkiakut socialist në largim i mbështetur nga kryeministri shqiptar, se kishte blerë vota për afro 400 euro. Edhe pse në burg, ai fitoi zgjedhjet, por nuk mundi të betohet zyrtarisht.

Qeveria greke shprehu shpejt shqetësimet e saj lidhur me procedimin ligjor ndaj z. Beleri, i cili denoncoi një “arrest politik”. Athina paralajmëron se kjo mund të ketë pasoja në përpjekjet e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Në mars, drejtësia shqiptare e dënoi Fredi Belerin me dy vjet burg për mashtrim zgjedhor. Ministria e Punëve të Jashtme greke reagoi duke gjykuar se ai është “dukshëm në disproporcion me seriozitetin e veprës së pretenduar”.

Në mesin e prillit, emërimi i Fredi Belerit si kandidat për zgjedhjet evropiane nga partia Demokracia e Re, e cila kryeson në sondazhe, vetëm sa nxiti më tej tensionet. “Lufta që po bëj nuk është personale. Është një betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë ”, komentoi Beleri në faqen e tij në Facebook. Por për opozitën dhe analistët grekë, kryeministri grek mbi të gjitha dëshiron të joshë me këtë kandidaturë elektoratin e ekstremit të djathtë.

Beleri, i vendosur në listën e partisë konservatore, nuk është aspak i panjohur për nacionalistët grekë: në vitin 1994, emri i tij u lidh me kryengritjen e armatosur të minoritetit grek në kufirin mes dy vendeve (Peshkëpia). Ai ishte dënuar edhe në Greqi për armëmbajtje pa leje.

Në qytetin e Himarës do të zhvillohet një votim i ri pasi Gjykata e Apelit të marrë vendimin e formës së prerë për çështjen “Beleri”. /Përshtati “Pamfleti” nga “Le Monde

Lini një Përgjigje