TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Janar 2025, 07:38

Kuvendi nis sot sesionin e fundit para 'shpërndarjes', vota e diasporës sfida e parë PS-PD

Shkruar nga Pamfleti
Kuvendi nis sot sesionin e fundit para 'shpërndarjes', vota e
Kuvendi i Shqipërisë

Sfida më e afërt mes deputetëve në Kuvend, është ajo për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, që imponohet nga realizimi i votës së diasporës

Pas pushimeve të fundvitit, Kuvendi i Shqipërisë do të rikthehet në punë pasditen e sotme ,20 Janar, kur do të hapë punimet e Sesionit të VII-të të Legjislaturës së X.

Seanca plenare e hapjes do të mbahet në orën 17:00.

Sfida më e afërt mes deputetëve në Kuvend, është ajo për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, që imponohet nga realizimi i votës së diasporës, proces historik që implementohet për herë të parë në këto zgjedhje.

PD e PS duhet të bashkojnë votat për disa ndryshime, që lidhen sa me anët teknike, aq edhe politike të procesit.

Me propozim të KQZ, por mbështetur edhe nga PS, dy ndryshime kanë të bëjnë me afrimin e afateve të regjistrimit, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe të shpërndahet te emigrantët që do të votojnë me postë. Ndryshimi tjetër është ai që kërkon të specifikojë në ligjin zgjedhor, se për këto zgjedhje, emigrantët nuk do të kenë asnjë kosto, pasi njëjtë si dërgimi i fletës së votimit, edhe marrja e saj do të bëhet me buxhetin e shtetit.

Nga ana tjetër, PD kërkon që Kodi të rregullohet e ta thotë qartë që votat do të numërohen nga komisionerët politikë, dhe jo nga administrata e KQZ.

Kërkesa që duket të vështirësojë arritjen e dakordësisë është ajo e bërë së fundmi nga opozita, që emigrantët të votojnë edhe me dokumente të huaja.

Në seancat e para të këtij sesioni pritet të votohet edhe për dërgimin ose jo në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të deputetit socialist vullnet Sinaj, çështje për të cilën u ra dakord disa ditë më parë në Këshillin e Mandateve.

Në Kuvend gjithsesi debate pritet të ketë edhe për nismat e fundit ligjore të depozituara nga të dyja palët përgjatë javëve të fundit e që do t’i nënshtrohen diskutimit parlamentar, siç është paketa e maleve e qeverisë, apo dy projektligjet e depozituara nga demokratja Jorida Tabaku për “Për marrëveshjet e kredisë konsumatore” apo ai për "Mbrojtjen e Konsumatorëve".

Rendi i ditës:

Mbledhja e Kuvendit në seancë plenare në datën 20.1.2025, ora 17:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si me poshtë

1. Hapja e punimeve të sesionit VIII të Legjislaturës X.

2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 19.12.2024.

3. Njoftime.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare,

njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe

përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

kuvendi i shqipërisë

Lini një Përgjigje