
Prej 8 ditësh ka nisur procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë në platformën e ngritur nga KQZ, ndërsa është vënë re një numër i madh refuzimesh të aplikimeve.
Konkretisht nga 34,511 kërkesa të bëra deri në mëngjesin e kësaj të diele, vetëm 13.273 janë miratuar, me 12,335 janë duke u shqyrtuar, ndërsa 8,118 janë refuzuar.
Kjo shifër që përkon me 23.5% të aplikimeve të deritanishme vjen si rrjedhojë e dy problematikave më kryesore që po ndeshet gjatë aplikimit të diasporës për t’u regjistruar.
Së pari është mospërputhja mes adresës së deklaruar dhe adresës në dokumentin e ngarkuar në platformë. Ndërsa një tjetër faktor për këtë shifër të lartë refuzimesh të aplikimeve është edhe mungesa e dokumenteve shqiptare nga emigrantët.
Vlen të theksohet se deri më 4 mars, çdo emigrant që deri më tani nuk i është pranuar procedura e regjistrimit si votues nga jashtë, do mund të aplikojë disa herë deri sa kërkesa t’i pranohet.
Nëse nuk regjistrohen deri më 4 mars, çdo emigrant që do dëshirojë të votojë në zgjedhjet e 11 majit, do mund ta bëjë këtë vetëm, duke ardhur në Shqipëri.
Deri më tani, në këto 8 ditë të para vendet nga ku janë regjistruar më shumë emigrant janë Italia, Greqia, Gjermania dhe SHBA. Ndërsa qarqet me diasporën më të madhe janë Tirana, Fieri, Durrësi, Korça dhe Berati.
Lini një Përgjigje