
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka mbajtur fjalën e tij në takimin në Brescia të Italisë me shqiptarët e diasporës.
Noka e cilësoi votën e diasporës si një nga qëllimet kryesore të PD, duke e parë si shpresën kryesore, më të madhe për të larguar mafien nga pushteti.
“Privilegj të jemi mes jush këtu sot, emocion i madh të ju përcjell përshëndetjet e përzemërta për ju, nga kryetari i PD, lideri i opozitës, profesor, doktor Sali Berisha.
Ne mund të jemi kombi i vetëm i cili në këto vite është shpërndarë si asnjë tjetër, ne mund të jemi kombi i vetëm i Europës që ka diasporë dyfish më shumë se sa ka banorë në vendin e origjinës. Ne në këto 12 vite ndjejmë me dhimbje dhe shohim me një keqardhje të frikshme se si alternativa që një regjim ju ofroj shqiptarëve ishte ikja dhe largimi.
Dhe pse, a i mungojnë vendit tonë mundësitë, vendi jonë është vend i bekuar, vend që ka det, male, vend që ka pasuri dhe resurse por vendi ynë për fat të keq ra në kthetrat e mafies. Kjo është më e rëndë se çdo rrëshqitje.
Kjo shpjegon dhe brengën tuaj, këtu që mbanë çdo ditë. Përjetoni çdo ditë hallet e familjarëve në Shqipëri, ju punoni për veten por mbani gjallë edhe njerëzit tuaj në Shqipëri. E kjo na bën ne të ndihemi krenarë për ju, për mbajtjen e lidhjes me atdheun.
Ne sot jemi këtu për të krijuar me ju një lidhje të re, të rëndësishme. Jemi sot këtu ne demokratët për të ju thënë që më në fund falë këmbënguljes së PD, betejës së bërë, falë presionit e drejta e votës për ju, diasporën në të gjithë botën u mundësua. Jemi krenarë që kjo nisëm e PD u kurorëzua me sukses, sepse nuk mundet që një komb kur ka më shumë se gjysmën e tij jashtë, të mos i jepet e drejta e atij kombi të ushtrojë në mënyrë të plotë me sovranitet të drejtën e votës dhe të drejtën e zgjedhjes së qeverisë.
Vota e diasporës ka qenë një nga qëllimet kryesore të PD, duke e parë si shpresën kryesorë, më të madhe për të kthyer Shqipërinë në ullinjtë e demokraci dhe për të çrrënjosur mafien nga pushteti”, tha Noka.
Lini një Përgjigje