Pas gati 12 orë debatesh dhe diskutimesh, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjet e parashikuara në rendin e ditës, në një seancë të gjatë që u shoqërua me tensione politike dhe largimin e opozitës nga salla.
Me 77 vota pro është miratuar në tërësi projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33, datë 31.03.2021, ‘Për Gardën e Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”. Ndërsa me 76 vota pro dhe asnjë kundër, në mungesë të opozitës, mazhoranca miratoi edhe projektligjin për krijimin e Agjencisë së Arsimit.
Ndryshimet në ligjin për Gardën janë propozuar nga deputetja socialiste Antoneta Dhima dhe lidhen kryesisht me mënyrën e emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm. Sipas formulimit të ri, drejtori do të emërohet nga Kryeministri, me propozim të ministrit përkatës, dhe duhet të përzgjidhet nga radhët e punonjësve të Gardës që mbajnë gradat “Drejtues i Parë” ose “Drejtues i Lartë”, duke marrë gradën “Drejtues Madhor”.
Ky ndryshim përbën një kthim pas në raport me amendimet e dy viteve më parë, kur mazhoranca kishte hapur mundësinë që drejtuesi i Gardës të zgjidhej edhe nga jashtë institucionit. Në atë kohë, opozita e cilësoi nismën si një “ligj me porosi”, duke e lidhur me emërimin e Ermal Onuzit, i cili më pas u përzgjodh përmes një procedure të quajtur “konkurs i hapur”. Onuzi dha dorëheqjen në qershor të vitit 2005 dhe aktualisht institucioni mbetet pa drejtues të përhershëm.
Seanca plenare u shoqërua me tensione të forta mes palëve. Kryeparlamentari Niko Peleshi vendosi përjashtimin e deputetit demokrat Luçiano Boçi, pasi ky i fundit, së bashku me Luan Baçin, bllokuan foltoren dhe kërkuan fjalën për replikë.
Peleshi fillimisht i tërhoqi vëmendjen Boçit për shkelje të rregullores, duke theksuar se i ishte dhënë më herët fjala për 10 minuta dhe se kërkesa për replikë nuk ishte në përputhje me rregulloren. Më pas ai vendosi përjashtimin nga seanca.
“Nuk mund t’ju jap fjalën pasi krijohet precedent dhe pastaj mund të spekulojnë edhe të tjerët”, u shpreh Peleshi, ndërsa Boçi iu përgjigj me tone të ashpra.
Vendimi shkaktoi reagim zinxhir nga opozita. Deputeti Belind Këlliçi paralajmëroi largimin nga salla nëse Boçit nuk i jepej fjala, duke e cilësuar situatën të papranueshme. Opozita më pas braktisi seancën në shenjë solidariteti me deputetin e përjashtuar.
Nga ana tjetër, Peleshi argumentoi se masa disiplinore ishte e justifikuar, pasi sipas tij Boçi kishte zënë foltoren pa të drejtë dhe kishte përdorur gjuhë të papërshtatshme për standardet parlamentare. Ai u bëri thirrje deputetëve të vijonin punimet në respekt të rregullores.
Në mungesë të opozitës, mazhoranca vijoi procedurat dhe miratoi projektligjet e mbetura në rendin e ditës, duke mbyllur një nga seancat më të gjata dhe më të tensionuara të kohëve të fundit.
Lini një Përgjigje