Opozita ka braktisur seancën plenare pasi drejtuesi i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoiu deputetin e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi.
Belind Këlliçi paralajmëroi largimin nga salla nëse Boçit nuk i jepej fjala për replikë. Ai e cilësoi situatën si të papranueshme dhe kërkoi rikthimin e normalitetit në zhvillimin e seancës, duke theksuar se opozita do të vepronte në solidaritet me deputetin e përjashtuar.
Nga ana tjetër, Peleshi argumentoi se masa disiplinore erdhi pas shkeljes së rregullores. Sipas tij, Boçi nuk kërkoi fjalën për procedurë, por zuri foltoren dhe përdori gjuhë të papërshtatshme për standardet parlamentare. Ai sqaroi se vendimi nuk u mor në mënyrë të nxituar dhe u bëri thirrje deputetëve të vijonin diskutimet pa ndërprerje.
Pas këtij shkëmbimi, opozita u largua nga salla, duke ndërprerë pjesëmarrjen në vijimin e seancës.
Këlliçi: Do të largohemi në shenjë solidariteti nëse nuk merr fjalën deputeti Boçi. Është e paimagjinueshme. Nëse ju nuk gjeni mënyrën për të rikthyer normalitetin, për t’i dhënë të drejtën e replikës, kemi vendosur të largohemi në shenjë solidariteti.
Peleshi: Z. Këlliçi, kemi 10 orë që diskutojmë këtu. Është marrë fjala në dy orët e para për procedurë. Është folur, të gjitha temat janë trajtuar. Më besoni, z. Boçi nuk e kërkoi fjalën për replikë, zuri foltoren dhe nuk tha se ishte për replikë, filloi me gjuhën e vet jo parlamentare dhe jo korrekte, prandaj u mor masa. Masa nuk u dha në gjaknxehtësi. Mos u solidarizoni me shkeljen e rregullores, por të vazhdojmë seancën.
Lini një Përgjigje